“Let’s Do It Kosova” ka ndërmarr aksion për pastrimin e deponisë më të madhe në rajonin e Pejës, përkatësisht në vendin e quajtur “Dydesh”, mes komunave Pejë dhe Istog. Aksioni u përkrah nga komuna e Istogut dhe Pejës, raporton EkonomiaOnline.
Kryetar i komunës së Istogut, Haki Rugova, vlerësoi punën e kësaj organizate teksa falënderoi për aksionet e vazhdueshme në këtë anë, e të cilat po ndikojnë në ruajtjen e mjedisit.
“ Sigurish që do të vazhdojmë edhe ma tutje me projekte tjera të përbashkëta dhe kjo e ka edhe një vlerë tjetër simbolike ta quaj. E di që këto mbeturina janë hedhë edhe nga Komuna e Pejës edhe komuna e Istogut, tash jemi pikërisht në territorin e komunës së Pejës këto janë komuna të përbashkëta qytetarët tanë kanë shumë më shumë interes për këtë rrugë se sa edhe vet Peja”, tha kryetari i Istogut Rugova
Drejtori i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj tha se aksione të tilla do duhej të merren në vazhdimësi dhe në të gjitha komunat.
Ai ftoi të gjitha institucionet që t’iu bashkohen në aksionet vullnetare për pastrimin e mjedisit.
“Është kënaqësi me qenë në Istog në fakt në zonën ku ndodhet Istogu me Pejën, sot këtu po ndodh ajo që do të duhet të ndodhte rregullisht jo vetëm në Istog e në Pejë por në tërë Kosovën ku të gjithë bëhemi bashkë për një të mirë e cila është e përgjithshme, pra shoqëria civile institucionet mediat vullnetarët”, tha Hasanaj.
Hasanaj më tutje u shprehë se kjo hapësirë që u pastrua ka një simbolikë të veçantë pasi ka qenë zonë e luftës, dhe nuk është mirë që nga vizitorët të ketë imazh të keq.
“Jemi mbledhë këtu sot që ta japim kontributin tonë që kjo hapësirë e cila e ka një simbolikë për të dy komunat pasi që këto kanë qenë edhe shtigje të luftës pra dhe kjo zonë vizitohet, dhe nuk ishte aspak imazh i mirë as për Istogun as për Pejën që ti shohim pamjet e tilla”, u shpreh Hasanaj.
Më tutje ky aksion vazhdoi edhe nga aktivistët e organizatës “Let’s do it Kosova”, të cilëve iu bashkua edhe “Kryqi i Kuq” ku u pastrua zona përreth.