Organizata “Let’s Do It Kosova” ka pastruar sërish te stadiumi “Fadil Vokrri”, e pakënaqur me punën e institucioneve dhe personave të cilët vazhdimisht hedhin mbeturina dhe nuk i pastrojnë mbetjet të cilat i bëjnë vetë.
Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova” tha se pas 3 ditësh po ka prapë nevojë të mblidhen me vullnetarët dhe të pastrojnë hapësirat përreth stadiumit, parkingut dhe të ashtuquajturit treg, i cili thuhet se është i paligjshëm.
Ai paralajmëroi që nëse ndodh pastrimi i tretë në këtë vend, mbeturinat do të dërgohen para komunës në shenjë proteste për papërgjegjësinë, raporton Ekonomia Online.
“Ajo që më shqetëson është që ky treg qenka i paligjshëm dhe asnjë kriter të vetëm nuk e plotëson për të ushtruar atë veprimtari dhe dua t’i bëj apel Komunës së Prishtinës që urgjentisht të marrë një vendim për ta mbyllë këtë treg, sepse komuniteti i cili shet këtu nuk po kujdeset për asgjë tjetër përpos të marrë paratë dhe të shkojë, t’i lë prapa të gjitha mbetjet që nuk iu shiten”, tha ai.
“Vetëm para 3 ditëve kjo hapësirë ishte e pastër, u pastruan 35 kamionë mbetje ndërtimore dhe mbi 150 thasë mbetje prej vullnetarëve. Por ajo çfarë ndodhi të martën, situata u kthye pothuajse njëjtë siç ishte më parë dhe ne do të kthehemi prapë të martën do kërkojmë nga inspektorët të jenë këtu për t’i dënuar ata që bëjnë veprime si këto që shohim dhe kemi kërkuar nga komuna të sjell kontinierë të paktën, sepse është vetëm një dhe kërkojmë nga “Pastrimi” të jetë më e përgjegjshme në punën e saj, sepse kanë obligim dhe faj për këtë situatë dhe nuk mund të shfajësohet nga kjo përgjegjësi”, shtoi ai.
“Aksioni i tretë do jetë ndryshe, ne do vijmë të pastrojmë dhe mbetjet qe mblidhen këtu do t’i dërgojmë para komunës dhe secilit institucion që është përgjegjës për të ndaluar ata që veprojnë kështu sepse as ne nuk mundemi të organizojmë pafundësisht aksione për të pastruar mbetjet të cilat i kanë përgjegjësi”, tha ai.