“Let’s Do It” pastron deponinë 4-hektarëshe në Banjë të Istogut, do të gjelbërohet

Istog | 10 Kor 2019 | 11:29 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Let’s Do It Kosova” ka nisur pastrimin e deponisë së egër, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej katër hektarësh, në fshatin Banjë të Istogut, raporton Ekonomia Online.

Për pastrimin e kësaj deponie që po cilësohet si më e madhja në Dukagjin, vullnetarëve të “Let’s Do It” i janë bashkuar edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Infrastrukturës, Komuna e Istogut, Forca e Sigurisë së Kosovës. Ndërsa iniciativa ka ardhur nga deputeti Bekë Berisha.

Kjo deponi gjendet afër shkollës “Trepça”, ndërsa për pastrimin e plotë të saj llogariten së paku 10 ditë pune.

Deputeti i AAK-së Bekë Berisha, tha se po largohet deponi ndër më të mëdhatë në Dukagjin.

“Kjo ka qenë iniciativë e jonë si qytetarë para dy jave e kemi bë një kërkesë të cilën u kanë përgjigje ministria e Ambientit, e Infrastrukturës dhe e Mbrojtjes edhe ushtria e Kosovës, punë ka edhe për 10 ditë mirëpo jam i lumtur që sot po realizohet ai premtim i qytetarëve”.

“Jam i lutur që kjo deponi thuajse ma e madhja në Dukagjin po eliminohet sot por jam i lumtur për fëmijë sepse këtu gjendet edhe shkolla fillore ‘Trepça’ dhe sot po largohet kjo deponi që është që një kohë të gjatë qe 20 vite”, tha  Berisha.

Luan Hasanaj, drejtori i “Let’s Do It Kosova” tha se ky aksion i sotëm është iniciativë e deputeti Bekë Berisha.

Ai u ka bërë apel të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në aksione të tilla pasi sipas tij, është detyrë e tyre.

“Ne jemi shumë të kënaqur që kemi arrit me iniciativën e deputeti Berisha ta organizojmë pastrimin e këtij aktiviteti sot këtu në emër të këtyre aktivistëve e falënderoj deputetin për angazhimin e tij dhe ju bëjë apel deputetëve që ta marrin këtë model sepse roli i tyre është ky zëri i qytetarëve dhe nevojave e aq ma pak nevojave si këto”.

Hasanaj më tutje shtoi se në Kosovë ndotja vazhdon të jetë problem dhe se institucionet nuk po bëjnë sa duhet në këtë aspekt.

“Problemet si ndotja në Kosovë vazhdon të jetë problematike vazhdojmë të kemi deponi të shumta në Kosovë si kjo këtu, por fatkeqësisht mungon angazhimi i duhur institucional që ne t’i shohim të pastra këto hapësira”, tha Hasanaj.

Zona e cila do të pastrohet, do të shndërrohet në hapësirë të gjelbëruar.

Të ngjashme