Lëvizja “FOL” ka prezantuar Platformën Online të Krahasimit të Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë nga viti 2010-2019, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli, tha se rreth 500 zyrtarë janë përfshirë në këtë platformë ndërsa janë ndarë në kategori duke filluar nga krerët e shtetit.
“Rreh 500 zyrtarë publikë që janë në këtë Platformë. Me këtë Platformë mund të bëhet krahasimi i zyrtarëve nga 2010-2019. Janë tri legjislaturat e fundit të Kuvendit dhe mund të bëhen krahasime mes legjislaturave. Përveç deputetëve mundësia e krahasimit është edhe e Qeverisë. Kemi Qeverinë Thaçi 2, Qeverinë Mustafa dhe Qeverinë Haradinaj. Janë edhe të gjithë kryetarët e komunave. Në ballinë kemi paraqitë 10 zyrtarë më të pasur ku hyjnë: Presidenti, Kryeministri, zv. kryeministri”, tha Demolli.
Ajo tha se në këtë Platformë është risi se janë përzgjedhur 10 zyrtarët me burime më të shumta të të ardhurave.
“Kemi kategorinë e ministrave ku e kemi kategorinë e zv. ministrave. Gjithashtu janë edhe kryetarët e komunave ku pasuria e tyre mund të shihet. Kemi edhe dhjetë zyrtarët me rritje më të madhe të pasurisë ku është prapë e njëjta renditje. Risi në këtë Platformë kemi dhjetë zyrtarët me burimet më të shumta të të ardhurave. Për të gjithë zyrtarët publik që ushtrojnë edhe poste brenda partive është numër i vogël i tyre që deklarojnë që marrin pagë nga partia”, ka thënë ajo, raporton EO.