Lëvizja “Fol” përmes një konference për medie ka publikuar gjetjet rreth ndërtimit të Autoudhës Prishtinë-Gjilan – Dheu i Bardhë”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë publikim Lëvizja Fol pretendon se Ministria e Infrastrukturës në mënyrë joligjore ka nënshkruar katër aneks kontrata me operatorë ekonomikë në vlerë mbi 4 milionë euro për ndërtimin e kësaj autoudhe.
Koordinatori i projektit nga Lëvizja “Fol” Elbasan Racaj tha se këto aneks kontrata janë bërë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Lëvizja Fol e ka bërë monitorimin e gjithë procesit te ndërtimit Prishtinë Gjilan i cili që nga që nga fillimi është përcjellë me parregullsi dhe buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 88 milionë euro. Nga monitorimi që ka bërë ‘Lëvizja Fol’ kemi hasur në 4 aneks kontrata që Ministria e Infrastrukturës i ka bërë në ndërtimin e rrugës 22 km. Gjatë vitit 2019 kjo autoudhë e paplanifikuar për vitin 2018 po i kushton buxhetit të shtetit 93 milionë euro. Nga kontrata kanë nënshkruar aneks kontrata ‘Graniti’ 1. 8 milionë , kompania ‘Eskavatori’ 1 milionë e 700 mijë euro. ‘Gjoka konstrucion’ 438 mijë euro. Vlen të theksohet se operatorët në kontratat bazë kanë qenë si konsercium, ajo që është shqetësues e tri nga këto aneks kontrata janë nënshkruar pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinajt”, tha ai.
Lëvizja “Fol” kërkon nga Ministria e Infrastrukturës të sqarojë se në çfarë baze i ka nënshkruar këto kontrata.
Ndërsa kërkon nga Prokuroria të nisë hetimet për këtë projekt.
“Andaj ne si Lëvizje Fol kërkojmë nga Ministria e Infrastrukturës të sqarojë se në çfarë baze ka nënshkruar këto kontrata. Punët dhe shërbimet shtesë i kanë kushtuar 4 milionë 397 mijë euro. Ne në këtë rast kërkojmë nga prokuroria të tregojë ne çfarë pike kanë arritur ndërtimet. Nuk kemi mjete për vazhdimin e kësaj autoudhe. Përveç ndërtimit të autoudhës kemi kërkuar nga Ministria e Financave t’i kemi shumat, por si kemi pranuar ato informata. Ne jemi në përgatitje të një padie të ministrisë së financave sepse këto po paguhen nga xhepat e qytetarëve”, tha ai.