Nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prishtinë kanë thënë se projekti i mbrojtjes nga ndotja akustike në Prishtinë është i dështuar.
Reagimi i tyre i plotë:
Edhe një projekt i dështuar i Komunës së Prishtinës: projekti i mbrojtjes nga ndotja akustike, i cili planifikohej të implementohet përmes instalimit të matësve të zhurmës në bizneset e gastronomisë.
Neglizhenca e organeve Komunale ka pamundësuar finalizimin e projektit dhe kështu nga sot Komuna fillon t’i aplikoj dënimet me gjobë prej 500 euro deri në 5 mijë euro.
Ky projekt ka dështuar qysh në fillim të implementimit të tij sepse:
Janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore në secilin hap të planifikuar;
Janë mbi 1,000 biznese ekzistuese, kurse për instalim të matësve kanë aplikuar vetëm 350 prej tyre;
Në këto 350 biznese të cilat kanë aplikuar për instalim të matësve, nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat konform legjislacionit dhe Rregullores në fuqi e që përfshijnë furnizimin me pajisje që tregojnë decibelët dhe qasjen nga bizneset, certifikata etj.
Trajtimi i kësaj problematike është tejet i nevojshëm, por trajtimi i duhur është thelbësor që zgjidhja të jetë e qëndrueshme.
Me këtë qasje të Komunës së Prishtinës, qytetarët nuk do ta gjejnë qetësinë e kërkuar derisa bizneset do të gjobitën, ndërsa pushtetarët komunal do të vazhdojnë të thonë se “shumë po punohet në Prishtinë”
Ky është dështimi dhe zhurma e radhës e Përparim Ramës.