Liberalizimi i vizave – Kompanitë e autobusëve shpeshtojnë linjat, mijëra kosovarë rezervojnë biletat

Prishtinë | 02 Jan 2024 | 15:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me heqjen e regjimit të vizave, është rritur edhe interesimi i qytetarëve për të lëvizur në zonën Shengen. Kësisoj, krahas udhëtimit nga Aeroporti “Adem Jashari”, kosovarët kanë zgjedhur transportin rrugor përmes autobusëve, raporton Ekonomia Online.

Vetëm në ditën e parë, siç ka biseduar Ekonomia Online me disa agjenci, kanë udhëtuar mijëra qytetarë, teksa numër i njëjtë pritet të vazhdojë edhe ditëve në vijim.

Pronari i kompanisë “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë për Ekonomia Online se interesimi i qytetarëve ka qenë goxha i madh. Si shkak i heqjes së vizave, ka bërë që kjo kompani të operojnë me linja të rregullta çdo ditë.

Kurtishaj ka thënë se vetëm këtë javë në “Sharr Travel”, janë bërë mbi 1 mijë rezervime të biletave për Zvicër.

“Sigurisht përveç që është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës kërkesat janë shtuar bukur shumë sa i përket javës se parë për të udhëtuar drejt Zvicrës. Përderisa në operojmë me linja të rregullta Kosovë-Zvicër-Kosovë ne nga sot kemi linja të rregullta çdo ditë, pra kemi udhëtime çdo ditë Kosovë – Zvicër. Fillimisht për javën e parë deri tash diku janë rreth një mijë qytetarë të cilët kanë bërë rezervimin e biletave kthyese qofshin bileta në drejtim të diasporës të cilët kanë ardhur për të festuar në Kosovë dhe tash po kthehen bashkë më familjarët të cilët i kanë marr me vete për t’i vizituar vendet ku ata jetojnë e punojnë për disa ditë dhe sigurisht ata do të kthehen prapë në Kosovë”, ka thënë Kurtishaj për EO, teksa është zotuar se nuk do të ketë shtrenjtim të çmimit të biletave, pavarësisht shtimit të numrit të udhëtarëve.

“Biletat kthyese janë po ato që kanë qenë tash e shtat vite dhe të them të drejtën biletat nuk parashikohen që të rrisim çmimet e biletave, pra biletat janë me çmime aktuale siç kanë qenë tash e shtatë vite, pa marr parasysh lëvizjes së çmimeve të derivateve të naftës për litër. Ne mbajmë çmimet çfarë janë aktuale dhe garantojmë qytetaret e Kosovës që ‘Sharr Travel’ nuk do të ngri çmimet e biletave në as një mënyrë. Liberalizimi i vizave për Kosovën ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve për vizita afat shkurtra, pra qoftë për vizita turistike, qoftë për vizita familjare. Sepse ata brenda periudhës 180 ditë maksimumi i qëndrimit që mund të qëndrojnë në zonën Shengen është 90 ditë, në të kundërtën do të pasojnë gjoba, ndëshkime deri në shënim në pasaportë për mos të ketë të drejt mandej që mos të futet prapë në Evropë”, u shpreh Kurtishaj.

E udhëtimi me autobusë të “Sharr Travel”, është e cilësisë më të lartë, pasi aktualisht kjo kompani është pajisur me autobusë të standardeve më të larta. Krahas udhëtimit Kosovë-Zvicër dhe anasjelltas, “Sharr Travel” mundëson edhe udhëtime për në shtetin grek.

“Për momentin ne jemi duke realizuar udhëtime Kosovë- Zvicër pesë herë në javë, me autobusë të standardeve ‘Euro 6’, për qytetaret e Kosovës është shumë e rëndësishëm që të udhëtojnë me autobus sepse çmimet janë jashtëzakonisht të lira, përveç që janë çmimet e lira, udhëtimet realizohen me autobusë të standardeve euro 6, të tipit të fundit të prodhimit. Të udhëtosh me ‘Sharr Travel’ është një kënaqësi e madhe, një siguri e madhe, një komoditet dhe mund të shohësh edhe vende të tjera të zonës Shengen ku ne kalojmë transit. Përveç kësaj ne kemi udhëtime të ndryshme duke përfshirë Selanikun, Sofian dhe shumë e shumë vende të tjera të zonës Shengen. Jemi në përgatitje të ofertave dhe të paketave të tjera në bazë të kërkesave të qytetarëve për të realizuar paketa turistike. Ne jemi kompani serioze, ne e kemi të qartë se këto viza nuk e kanë qëllim punësimin e qytetareve të Kosovës në zonën Shengen dhe ju kemi bërë të qartë qytetarëve që mund të kemi vetëm vizita turistike”, ka thënë tutje Kurtishaj

Interesim të qytetarëve ka pasur edhe kompania tjetër “Arditi Tours”. Pronari i saj, Albert Fazliu, ka thënë për Ekonomia Online se udhëtim më të lehtë nuk ka pasur as në kohën kur qytetarët janë pajisur me viza. Ai ka thënë se në kufi nuk është kërkuar vendqëndrimi e as sigurimi shëndetësor.   

“Që nga dita e djeshme, interesimi për udhëtime Kosovë-Zvicër dhe Kosovë-Austri janë shtuar më shumë. Kërkesat më të shumta janë dita e djeshme se para Vitit të Ri. Mbrëmë ka udhëtuar autobusët të parë për në Zvicër dhe Austri, të gjithë pasagjerët kanë kaluar kufirin pa asnjë problem edhe përmes Kroacisë e përmes Hungarisë. Mbrëmë ka udhëtuar një autobus me 78 persona ndërsa për Austri 50 persona. Sot ka pasur udhëtim për Zvicër por probleme nuk ka sa i përket liberalizimit të vizave. Mund të them lirshëm se udhëtimet mbrëmë kanë qenë më të shpejta se sa kemi pasur me viza”, ka thënë ai.

“Përpara ka qenë te kontrolla e policisë ka qenë skenimi i vizës, pasaporta, kurse mbrëmë vetëm pasaporta nuk i ka shikuar dhe nuk i ka pyetur askush se ku po shkojnë. Mbrëmë udhëtimi ka qenë shumë i lehtë. Në shumicën e rasteve ne dhe pasagjerët e kanë obligim që të kenë sigurimin shëndetësor, të kemi një vendqëndrim se ku po shkojnë, mbrëmë nuk janë kërkuar asnjëra prej këtyre”, u shpreh ai.

Ekonomia Online ka qëndruar edhe në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”. Disa qytetarë të cilët nuk pranuan të flasin para kamerës, thanë se po udhëtojnë për herë të parë, teksa shprehen synimin për t’u rikthyer dhe për t’u pajisur me vizë për një jetesë më të mirë në shtetet perëndimore.

Por janë disa rregulla që duhet të respektohet gjatë udhëtimit për në vendet evropiane.

Qytetarët të cilët vendosin që të udhëtojnë në zonën Shengen, që në momentin e arritjes në pikën e parë kufitare, duhet të prezantojnë edhe disa dëshmi, e njëra nga ato është edhe ajo financiare, që varet nga dy faktorë: së pari varet nga numri i ditëve që do të qëndrojnë dhe shteti të cilin e vizitojnë, dhe pastaj nga ajo nëse do të qëndrojnë në akomodim me pagesë si hotel/apartment apo tek të afërmit.

Nëse qytetarët deklarojnë se do të qëndrojnë tek të afërmit duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitojnë, shuma e mjeteve është rreth 30 deri në 50 euro në ditë për person.

Nëse ata deklarojnë se do të qëndrojnë në një hotel apo apartment apo çfarëdo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitojnë, shuma e mjeteve që duhet të ofrohen si dëshmi financiare është rreth 50 dhe 100 euro në ditë për person.

Akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë.

Të ngjashme