Shefja e BE-së, Natalyia Apostolova, dhe ambasadorja e Finlandës, Pia Stjernvall, kanë paraqitur prioritetet e Presidencës së Finlandës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Aty u përmenden shumë prioritete, por jo edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili kërkoi nga Presidenca finlandeze që të prezantojë agjendën e liberalizimit të vizave tek liderët evropianë.
“Sot ne kemi një kërkesë nga ju që të prezantoni agjendën e liberalizimit të vizave. Mendoj që është koha, ajo që na duhet është kurajo juaj dhe që liderët tuaj t’u japin atë që e meritojnë kosovarët”, tha ai .
Shefja e BE-së, Apostolova tha se prioritet i Bashkimit Evropian në Kosovë mbeten në fuqizimin e sundimit të ligjit, konkurrencën etj, por nuk përmendi liberalizimin e vizave.
“Në shumë raste prioritetet tona në Kosovë janë gjithashtu prioritetet e Presidencës Finlandeze të BE. Si Finlanda gjatë Presidencës së saj, BE në Kosovë ka vendosur në mënyrë të përhershme në krye të prioriteteve të saj sundimin e ligjit, konkurrencën, përfshirjen sociale, mjedisin dhe vlerat evropiane. Reformat e kërkuara në fushën e sundimit të ligjit, të mbështetura nga BE-ja, përfshijnë një luftë më të vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne vlerësojmë se Kosova është duke bërë përpjekje për të harmonizuar legjislacionin e vet me atë të BE”, tha ajo.
Ajo e quajti të rëndësishëm vendimin e heqjes së homologimit të automjeteve.
Kemi qenë aktiv këto ditë në avokimin për konkurrencë të lirë dhe të ndershme, psh homologimin e automjeteve. Kjo çështje është në thelb të zbatimit të MSA-së. Në sigurimin e një klime të mirë biznesi, qeveria, bizneset, shoqëria civile dhe cdo person duhet të jenë të ndërgjegjshëm për një zhvillim të qëndrueshëm për ta ruajtur Kosovën për gjeneratat e ardhshme”, tha ajo.
Më tej, ajo shtoi se BE do të vazhdojë të mbështesë reformën në arsim në Kosovë.
“BE-ja do vazhdojë të mbështesë reformën e besueshme dhe vendimtare të arsimit këtu në Kosovë. Arsimi dhe gjithëpërfshirja sociale e të rinjve janë thelbësore për të adresuar sfidat e ardhshme”, tha ajo.
Ndërsa ambasadorja finlandeze në Kosovë, Stjernvall tha se reformat në sundimin e ligjit janë vendimtare për Kosovën.
Tha se nën udhëheqjen e shteti që ajo përfaqëson BE-ja një prioritet të madh i jep ndryshimeve klimatike.
“Ne mbështesin perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor sapo të përmbushen kriteret. Në veçanti janë vendimtare reformat në fushën e sundimit të ligjit.Çështja më urgjente dhe një nga prioritetet kyce të Presidencës së Finlandës është lidershipi global i BE-së në veprimet klimatike. Në vitet 2020, BE do të ketë shansin të përmbushë pritjet e qytetarëve të saj duke marrë drejtimin në adresimin e sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet njerëzimi. Ka përfunduar koha për politikat ‘po, por’ për luftimin e ndryshimeve klimatike. Në Finlandë, Kosovë, BE dhe në botë, integrimi i politikës klimatike në të gjithë sektorët është objektivi ynë kryesor”.