Urimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për siç ka hënë ai, ‘liberalizimin e vizave’, nuk ua ka kthyer shpresat shumë qytetarëve që po presin para ambasadave të vendeve evropiane, për t’u pajisur me vizë.
Ata thonë se ka dhjetë vjet që dëgjojnë premtime e urime për heqjen e vizave.
Nexhat Mulaj, një djalë i ri nga komuna e Skenderajt, me një numër të madh të dokumenteve në duar, po priste që të aplikonte për vizë para Ambasadës së njërës nga shtetet skandinave. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se nuk beson se së shpejti do të ndodhë liberalizimi i vizave për kosovarët.
“Me një fjalë, unë nuk i shoh të arsyeshme ato që thonë se sot, nesër, [do të ndodhë liberalizimi], kështu që kam vendosur që përmes kompanive të bëj zgjidhje dhe të mos pres liberalizimin e vizave, sepse nuk e dimë se kur do të ndodhë. Nuk kemi një shpresë se do të ndodhë më 2020 ose më 2021”, u shpreh Mulaj.
Ai tha, po ashtu, se edhe pse është dashur të bëjë gati shumë dokumente, nuk ka qenë e lodhshme për të, pasi që në shtetin përkatës ku synon të shkojë, do të gjejë punë.
“Kur ta mendosh se mund të përparosh dhe do të kesh një jetë më të mirë, ia vlen të mundohesh për dokumente. Ia vlen të shpenzosh dhe të vraposh pas këtyre gjërave”, tha Mulaj.
Kurse, Bastriu, një qytetar tjetër, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm fëmijët mund t’u besojnë premtimeve për liberalizimin e vizave.
“Për t’u besuar [politikanëve] duhet të jesh fëmijë”, tha shkurt Bastriu.
Ndërkaq, Zeqir Geci, një tjetër qytetar që ka aplikuar për vizë tha se nga premtimet e politikanëve, kjo shoqëri ka ardhur në këtë gjendje, e cila i shtynë të rinjtë të ikin nga Kosova për jetë më të mirë në Evropë.
“Deri në këtë gjendje na kanë sjellë, premto, premto dhe asgjë hiq. Më mirë të iki. Duhet t’i marrim të gjitha gjërat në dorë dhe të kërkojmë një jetë më të mirë. Jemi familjarë”, tha Geci.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se pas kthimit nga Berlini, “po”-ja e shtetit të Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, e lejon atë që t’i urojë qytetarët për liberalizimin e vizave.
Haradinaj, gjatë qëndrimit në Berlin në fillim të kësaj jave, u takua me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, i cili, sipas kryeministrit, i dha mbështetjen procesit të liberalizimit të vizave për zonën Schengen.
“Kjo nuk është një ‘po’ e analizave ose mendimeve, është ‘po’ e njeriut në detyrë që flet në emër të Gjermanisë – ministri i Punëve të Brendshme, (Horst Seehofer), ka dhënë ‘po’ për vizat dhe ka thënë ‘po’ menjëherë”, tha Haradinaj.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë për media të premten tha se vizat duhet t’u jepen qytetarëve të Kosovës.
“Ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet, duhet të jepet liberalizimi për faktin që të gjitha procedurat Kosova i ka plotësuar”, theksoi Veseli.
Ndërkohë, analisti i çështjeve evropiane Rikard Jozwiak, në një intervistë për emisionin Expose të Radios Evropa e Lirë, vlerëson se ka pak gjasa që këtë vit Kosova të fitojë liberalizimin e vizave.
“Unë mendoj se nuk ka shanse këtë vit. Natyrisht se mrekullitë mund të ndodhin. Kjo varet edhe nga marrëveshja potenciale midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, por kur shohim se sa ngadalë po shkon ky proces, nuk mendoj se mund të kemi një marrëveshje së shpejti, e rrjedhimisht as liberalizimin e vizave”, tha Jozwiak.
Muajve të fundit, sipas zyrtarëve të agjencive për përkrahje të punësimit, është rritur interesimi i qytetarëve, të cilët kërkojnë viza punë për në shtetet e Bashkimit Evropian.
Premtimet që këtë vit do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, sipas njohësve të këtyre çështjeve në Kosovë, janë joserioze, kur dihet që institucionet e Bashkimit Evropian janë në proces të zgjedhjeve.
Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se liderët e Kosovës nuk kanë menduar mirë kur janë deklaruar se sivjet mund të bëhet liberalizimi i vizave.
“Të presësh nga Gjermania dhe Franca apo cilido shtet tjetër i BE-së, që të marrë një veprim radikal të tillë, që t’i liberalizojë vizat për një vend tjetër, pa marrë parasysh cili është ai, në këtë rast ka ndodhur të jemi ne, mendoj se është shumë e paarsyeshme, joprofesionale dhe jo mirë e menduar”, tha Ujkani.
Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave i BE-së nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Vëzhguesit, ndërkaq, pohojnë se premtimet që vizat të liberalizohen në qershor, ka pak gjasa të përmbushen, duke qenë se i gjithë procesi është vendim i vendeve anëtare të BE-së.