Vit pas viti, presidencë pas presidence, kosovarët vazhdojnë kot të presin liberalizimin e vizave, i cili u ishte premtuar tash e sa vite me radhë.
Edhe një fillimvit sjell pak shpresë se liberalizimi mund të ndodhë shpejt, edhe pse kryesimin e radhës së BE-së e ka një shtet mik, i cili do të dëshironte që gjatë kryesimit të tyre me BE-në të ndodhë edhe heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që edhe ata më në fund të jenë të barabartë me shumë qytetarë të tjerë të rajonit, të cilët mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e BE-së, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përkundrazi, për kosovarët, do të jetë edhe më e vështirë, sepse së shpejti do të shtrenjtohen shpenzimet për dhënien e vizave Schengen.
Gjasat për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës gjatë gjashtë muajve të ardhshëm sa Kroacia kryeson me BE-në nuk duken të mëdha, ndonëse Kroacia do të dëshironte që kjo të ndodhë. U pa kjo të mërkurën gjatë një përgjigje të ministrit të Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq, i cili është edhe kryesues i radhës i Këshillit të ministrave të brendshëm të BE-së.