Vetëm pas tre muaj bashkëjetese Flori Mumajesi dhe Liberta Spahiu janë ndarë. Çifti më i ri i showbiz nuk foli në asnjë rast për historinë e tyre të dashurisë, e cila thuhej se ishte aq e fortë, saqë Flori mori vendimin të shpërngulej drejt Kosovës, duke lënë gjithçka pas, për të bashkëjetuar me moderatoren e “Klan Kosova”.
Por flitet se tashmë rrugët e kantautorit dhe moderatores së “Prive” janë ndarë. Ndonëse nuk kanë pranuar publikisht që kishin një histori dashurie, Flori dhe Liberta thuhej se bashkëjetonin në një vilë në periferi të Prishtinës.
Transferimi i këngëtarit në Kosovë ishte natyrisht një vendim i papritur, por, mediat e Kosovës po shkruajnë se plani i Florit tashmë ka dështuar. Lideri i “Three Dots” dhe prezantuesja e “Prive” nuk janë më bashkë. Mbase nuk bëhet fjalë për ndarje përfundimtare, por fotot e publikuara prej tyre në rrjetet sociale kanë lënë vend për dyshime.
Liberta është nisur me pushime e vetme, ndërsa Flori është aktualisht i impenjuar me produksionet e reja dhe koncertet me djemtë e grupit. Ndarje apo jo, mbetet ta shohim në vazhdim, por tashmë asnjë shenjë mes tyre nuk tregon se ata i lidh diçka bashkë.