Në grindjen për mënyrën e veprimit me refugjatët që duan të hyjnë në Europë, kampet e pritjes në vende të tjera jashtë BE po shihen si një opsion, shkruan DW. Por Libia i tha jo ministrit të ri të Brendshëm italian, Matteo Salvini.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Punëve të Brendshme të Italisë, Matteo Salvinin në Tripoli, zëvendëskryeministri i Libisë, Ahmed Meitik u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë me Bashkimin Europian në çështjen e migracionit ilegal. Por Libia e refuzoi “kategorikisht” që qendra të tilla të ngrihen në territorin e saj. Kjo do të shkelte ligjin libian.
Salvini kërkon kampe në 5 vende afrikane
Ministri i Punëve të Brendshme të Italisë, Matteo Salvini ishte shprehur më parë për ngritjen e kampeve pritëse për refugjatët në 5 vende afrikane, por pa përmendur emra konkretë. Në kthim në Itali ai u shpreh pastaj konkretisht për ngritjen e kampeve të tilla në jug të Libisë, Niger, Mali, Çad dhe Sudan. Qendra të tilla pritëse dhe identifikimi do të ndihmojnë Italinë si Libinë, të “ndalë” migracionin, kështu është shprehur kreu i partisë armiqësore ndaj të huajve, Lega. Si shpërblim këto vende do të marrin më shumë ndihma për zhvillim. Për këtë ai do të këmbëngulë edhe në samitin e BE-së në Bruksel më 28 e 29 Qershor.
Mungon gjuha e përbashkët në BE
Në BE diskutohet me zjarr për politikën ndaj refugjatëve. Në ditët e shkuara ka pasur propozime nga më të ndryshmet për migracionin. Franca dhe Spanja janë shprehur për ngritjen e kampeve të mbyllura në territorin e BE-së. Salvini e hodhi poshtë këtë plan. Hotspot-et për regjistrimin e refugjatëve në Itali nuk janë zgjidhja e problemit, sepse nuk e ndërpresin fluksin përmes Mesdheut. Edhe Austria dhe Danimarka duan qendra azili jashtë Europës.
Baza ligjore e paqartë
I pasqaruar është kuadri ligjor për ngritjen e qendrave të tilla të mundshme jashtë BE. Komisioni Europian është shprehur, se qendrat e azilit nuk duhet të jenë ligjërisht “vrima të zeza”. Prandaj edhe azilkërkuesit e mbërritur ndërkohë në BE nuk duhet të kthehen në kampe jashtë BE. “Qendrat e zbarkimit” të këtij lloji nuk janë në ujdi me të drejtën ndërkombëtare, u shpreh një zëdhënëse të hënën në Bruksel.
Libia është porta kryesore për refugjatët nga vendet afrikane që përmes Mesdheut duan të hyjnë në BE. Sipas disa llogaritjeve qindra mijëra vetë presin në Libi për shansin e hyrjes në Europë. Organizatat humanitare kritikojnë trajtimin jo adekuat të këtyre migrantëve në kampet libiane.
Italia mbyll portet
Qeveria nacional-populiste në Romë ka mbyllur portet italiane për refugjatët e shpëtuar në Mesdhe që duan të zbarkojnë në tokë. Qëllimi i saj është që refugjatët që shpëtohen nga roja bregdetare italiane të kthehen me anije në Libi. Roja bregetare italiane i kalon tani sinjalet e emergjencës të lëshuara nga gomonet në rrezik tek roja bregdetare libiane. Bllokada italiane ka bërë që prej ditësh qindra afrikanë të ngujohen në anijet e organizatave humanitare dhe anijet e mallrave që kanë marrë në bord njerëzit në rrezik mbytjeje.