Liburn Aliu jep dorëheqje shkaku i Dimal Bashës

Prishtinë | 27 Gus 2025 | 11:12 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Aliu me anë të një shkrimi në Facebook ka deklaruar se dorëheqja e tij vjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar të Kuvendit.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim.

Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka shkruar Aliu.

Dimal Basha ka marrë postin e kryeparlamentarit të martën pas gati 5 muajsh bllokadë të Kuvendit. Ai u zgjodh edhe me votat e Partisë Demokratike të Kosovës e cila pati premtuar se do ta votonte këdo që nuk kishte post ministror në Qeverinë Kurti. Herë e parë kur u propozua PDK-ja s’e votoi, për çka u kritikua se nuk kishte koherencë në qëndrime. Në seancën pasuese, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, tha se do ta votonin, ani pse nuk pajtoheshin me propozimin e tij, duke thënë se Basha nuk është i denjë për këtë pozitë. Para Bashës, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar ministren e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, që nga 15 prilli. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila tha se një kandidat ka të drejtë të propozohet vetëm tri herë, VV-ja propozoi ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministrin e Financave Hekuran Murati dhe ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie  Nagavci.

Të ngjashme