Dy parasportistë me aftësi të kufizuara dhe një trajner janë licencuar zyrtarisht për pjesëmarrje në lojëra evropiane, botërore e ato Paralimpike, raporton Ekonomia Online. Të licencuarit në sportin e atletikës janë Grevist Bytyçi atletikës me karrocë, Vjollca Hoxha dhe trajnerin Adrian Mazreku.
Presidentja e Komitetit Paralimpik Njomza Emini dhe ambasadori i Francës Olivier Guerot ua kanë dorëzuar zyrtarisht kartelat e identifikimit të licencimit të tre të licencuarve.
Emini me këtë rast tha se Komitetit Paralimpik i Kosovës mbetet i përkushtuar në promovimin e sportit për personat me aftësi të kufizuara.
Sipas saj, si Komitet do të kapërcejmë çdo sfidë që i’u del përpara me të vetmin qëllim të ofrimit të mundësive të barabarta për sportistët me aftësi të kufizuara dhe do të shërbejmë si një burim inkurajimi dhe frymëzimi për ta zhvilluar potencialin e tyre profesional.
Ajo më tej shtoi se do të punojnë për përmirësimin e kushteve dhe përfshirjen e të gjithë sportistëve me aftësi të kufizuara si dhe për të kontribuar në rritjen e vetëdijes së shoqërisë ndaj sfidave që përballen këta sportistë.
“Komiteti po konsolidohet çdo ditë, në muajin gusht kemi edhe lajme të reja. Sot jemi mbledhur edhe për një arsyeje tjetër, pra licencimin e dy parasportistëve, që është arritje e madhe. Më lejon që të falënderojë ekipin dhe stafin e mrekullueshëm për punë e palodhshme”.
“Anëtarësimi u arrit pas një rruge të gjatë, tash ju jeni të gjithë të barabartë me të gjitha parasportistët nga e gjithë bota dhe iu lus që të punojmë bashkë që t’i tejkalojmë sfidat. Edhe pse këta janë ende të paragjykuar”.
Përderisa ambasadori Guerot tha se mbështetja për këta persona do të jetë e vazhdueshme, për çka edhe garantoi se do të punohet me të gjitha që ata të kenë më shumë suksese.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu, shumë i nderuar të jem këtu. Franca ka qenë dhe mbetet në anën e Kosovës. Mendoj se sporti ka të bëjë me konkurrencën por edhe me solidaritetin, kur ju shoh duke punuar, pra juve sportistëve duke punuar e shoh këtë si shenjë të solidaritetit në rend të parë, dhe më vjen mirë që jemi pjesë e këtyre përpjekjeve, u shpreh ai.
Ndërkohë trajneri Adrian Mazreku tha se kanë stërvitura pa ndalur, raporton EO.
“Unë me Grevistin e edhe atletët e tjerë kemi stërvitur pa ndalur. Grevisti deri më tani ka garuar me atletë të tjerë në Kosovë ani pse e ka humbur njërin krah në vitin 2001. Kjo licencë ka qenë e domosdoshme që Grevisti dhe ne të garojmë zyrtarisht në gara ndërkombëtare”, tha Mazreku.