Liderët e BE-së pritet të diskutojnë emrat e rinj në krye të institucioneve të bllokut

Prishtinë | 17 Qer 2024 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian do të mblidhen në mbrëmjen e së hënës në Bruksel, në përpjekjen e parë për të arritur një marrëveshje për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së, të Komisionit Evropian, të Këshillit Evropian, dhe emrin e ri në pozitën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Ky do të jetë takimi i parë i liderëve evropianë, pas zgjedhjeve të mbajtura në vendet anëtare të BE-së, më 6-9 qershor.

Rezultati i zgjedhjeve do të reflektohet në emrat e rinj në krye të institucioneve evropiane.

Sugjerimet kryesore pritet të bëhen për politikanët që u përkasin partive që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet evropiane.

Ndonëse në këto zgjedhje është vërejtur rritje e ndjeshme e partive të së djathtës ekstreme, partitë tradicionale të qendrës së djathtë dhe të majtë, Partia Popullore Evropiane dhe Social-Demokratët janë renditur në vendin e parë dhe të dytë, respektivisht.

Kandidatura e shefes së deritashme së BE-së, Ursula von der Leyen, është e sigurt, por tani liderët e vendeve të BE-së janë në kërkim të emrave të rinj për pozitat që kanë mbajtur Charles Michel dhe Josep Borrell.

E vetmja kandidaturë e sigurt është ajo e Ursula von der Leyen-it, e cila synon rizgjedhjen për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të Komisionit Evropian – institucionit ekzekutiv të BE-së.

Gjasat që liderët të dakordohen për kandidaturën e saj janë të mëdha, duke marrë parasysh që ajo është prej Partisë Popullore Evropiane, raporton Radio Evropa e Lirë.

Pasi liderët e BE-së të votojnë për kandidatin për udhëheqje të BE-së, propozimi më vonë i shkon Parlamentit Evropian, i cili më pas miraton apo refuzon këtë propozim.

Nëse konfirmohet kandidatura e Ursula von der Leyen-it, atëherë kandidatët për udhëheqje të Këshillit Evropian dhe për pozitën e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, duhet të jenë prej radhëve të Social-Demokratëve dhe të liberalëve evropianë.

Roli i presidentit të Këshillit Evropian është të kryesojë takimet në nivel të liderëve të BE-së dhe të përmirësojë punën e Këshillit Evropian.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka rol të dyfishtë.

Zyrtari që mban këtë pozitë është njëri prej nënkryetarëve të Komisionit Evropian dhe ka rolin e kreut të diplomacisë evropiane.

Ka spekulime të ndryshme për politikanët që do të zëvendësonin Michel-in dhe Borrell-in në këto pozita.

Emrat që kanë shanset më të mëdha për këto poste, sipas informacioneve jozyrtare, është ai i ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa, për pozitën e presidentit të Këshillit Evropian dhe ai i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, për pozitën e kryediplomatit të BE-së.

Megjithatë, nuk dihet nëse liderët e BE-së do të dakordohen për këta emra.

Ideale, por jo e domosdoshme, është që samiti i 17 qershorit të përfundojë me një marrëveshje.

Në rast se nuk arrihet një marrëveshje, mundësia e radhës për të diskutuar këtë çështje është samiti i rregullt që do të mbahet më 27 dhe 28 qershor.

Të ngjashme