Presidenti Hashim Thaçi, ka pritur sërish në takim liderët e Luginës së Preshevës, lidhur me idenë e tij për bashkimin me Kosovën, në procesin që ai e quan “korrigjim të kufirit” me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
Ata ia kanë dorëzuar atij një draft-rezolutë që kërkojnë që ta votojë Kuvendi i Kosovës në mënyrë që komunat e Luginës të mund t’i bashkohen Kosovës.
Thaçi bëri të ditur se liderët e Luginës së Preshevës kanë kërkuar që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë një rezolutë e cila do të mbështeste bashkëngjitjen e kësaj pjese me Kosovën.
“Sot e zhvilluam edhe një takim tepër të mirë dhe shumë produktiv për të ardhmen mes Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë në Luginë. Është e qartë që vullneti i deklaruar i shqiptarëve të Luginës është institucionalizuar edhe nga kryetarët e komunave dhe institucioneve për t’u bashkëngjitë me Kosovën”.
“Nëse dje e kam mbështetur fuqishëm, sot e mbështes dhe punoj edhe më fuqishëm dhe do të jem edhe më i vendosur nesër që kjo e drejtë të realizohet. Do të bëjë përpjekje që kjo padrejtësi historike të korrigjohet”, tha ai.
Kreu i shtetit tha se në takim diskutuan edhe për hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmerren në këtë proces, raporton EO.
“Te gjithë në Kosovë pa dallime do ta mbështesin të drejtën për bashkëngjitje. Është momenti që të gjithë të ngriten mbi interesat dhe egot”.
“Ne kemi menduar dhe do të punojmë që edhe përfaqësuesit politikë të luginës të jenë pjesë e participimit në dialogun përfundimtar me Serbinë për të diskutuar për të ardhmen e tyre, besoj që do ta përkrahë Parlamenti dhe Qeveria”.
Thaçi tutje theksoi se do të punojnë që edhe përfaqësuesit e Luginës së Preshevës të jenë pjesë fazës finale të dialogut me Serbinë.
Kryetari i Bujanovcit, Shaip Kamberi, ka kërkuar konsensus nga partitë politike në Kosovë lidhur me bashkimin e Luginës me Kosovën.
“Kemi një qëndrim të ShBA-së, kemi pasur takime dhe është me rëndësi që të ndërtohet një konsensus në Prishtinë dhe kjo duhet të kalojë përmes një rezolute në Kuvend. Besoj që do të krijohet unitet i plotë që do mbështesë presidentin dhe ekipin negociator”.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, u shpreh opitimist se Kuvendi i Kosovës do të miratojë rezolutën në mbështetje të kësaj ideje, raporton EO.
“Jemi të lumtur që ka pranuar BE-ja dhe ShBA-ja. Presim që gjithë subjektet politike të Kosovës do të miratojnë rezolutën që Lugina të jetë pjesë integrale e territorit të Kosovës”.