300 deri në 1000 persona mund të nisin punë gjatë këtij viti në komunat veriore të Kosovës.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka nisur hartimin e një strategjie për të implementuar masat e tregut në këtë pjesë të vendit.
Kjo strategji pretendohet të jetësohet përmes subvencionimit të ndërmarrjeve private.
Ministri i Punës, Arban Abrashi, thotë se si shembull kanë marrë projektet që janë realizuar vitin e kaluar me komunat e ndryshme në Kosovë, ku ministria e ndihmuar nga UNDP-ja, mbështeti bizneset në pagesën e rrogave për të punësuarit.
Ende nuk janë siguruar linjat buxhetore për strategjinë, e as nuk është caktuar kostoja e saj, por kufiri minimal do të jetë 500 mijë euro. Abrashi thotë se janë në kërkim të fondeve, por në mungesë të tyre edhe mund të nisë implementimi vetanak.
Sidoqoftë, ai ka përmendur si mundësi edhe marrjen e mjeteve nga Fondi për Zhvillimin e Veriut.
Adriana Hoxhiq, shefe Zyrës Administrative në Komunën e Mitrovicës së Veriut, thotë se gjasat janë të vogla që fondi të përdoret në këtë projekt, por që, sipas saj, kjo është në duart e udhëheqësve të komunave të veriut