Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli, kryeministri Haradinaj dhe zv.kryeministrat Pacolli, Limaj dhe Gashi, janë paraqitur entuziastë në një konferencë për medie pas kthimit nga Brukseli.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e quajti një lajm të mirë rekomandimin e sotëm pozitiv për liberalizimin e vizave për kosovarët që u publikua në Bruksel nga komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.
“Sot është një ditë e madhe për Kosovën… Ky është një vendim i madh, meritor për vendin, megjithëse i vonuar”, deklaroi Thaçi, në konferencë mbajtur në aeroportin “Adem Jashari”, raporton Ekonomia Online.
Ky vendim, sipas tij, është meritë e të gjithë spektrit politik në Kosovë. “Gjithë ne që jemi këtu dhe të tjerët do të angazhohemi me përgjegjësinë më të lartë, sepse ky proces i takon të gjithëve dhe është meritë e të gjithëve. Përfituesit më të mëdha janë qytetarët e Kosovës. Falënderoj të gjithë që na kanë ndihmuar në këtë proces dhe na kanë qëndruar afër”.
Thaçi në fjalën e tij i ka lidhur heqjen e e vizave me dialogun me Beogradin. “Ne sot kemi vazhduar edhe takimin me Mogherinin dhe Vuçiqin për angazhimin tonë për përshpejtimin e dialogut për arritjen e marrëveshjes finale, e cila është obligative”, ka thënë Thaçi.
Veseli: Do të vazhdojmë lobimin me secilin shtet, përqendrimi vendet mike
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, shprehu besimin se pas rekomandimit të sotëm, vendimi për heqjen e vizave do të merret në dhjetor.
Veseli tha se institucionet e Kosovës i presin ende punë. “Përqendrimi ynë do të jenë vendet mike, ato që na kanë njohur”, shtoi ai.
“E kemi merituar këtë lajm të mirë. Duhet të punojmë në vazhdimësi dhe të kemi reforma edhe në drejtësi”.
“Jam i sigurt se Parlamenti Evropian do të votojë pro liberalizimit të vizave, në ndërkohë do të vazhdojmë lobimin me secilin shtet”, shtoi Veseli.
Ai ftoi dhe kolegët e opozitës që t’i bashkohen këtij gëzimi për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.
Haradinaj: Vendim meritor, të gjitha punët që janë në agjendë do t’i kryejmë
Kryeministri Ramush Haradinaj e quajti vendim meritor rekomandimin pozitiv, i cili sipas tij është arritur pas një pune të madhe nga institucionet dhe shoqëria kosovare.
Haradinaj u zotua se të gjitha punët që janë në agjendë do t’i kryejnë sa më shpejt. Ai falënderoi të gjithë për kontributin. “Urime Kosovë, urime të gjithëve”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Limaj: Lajm i mirë sidomos për ekonominë dhe të rinjtë
Edhe zv.kryeministri Fatmir Limaj tha se rekomandimi pozitiv që sot e mori Kosova për heqjen e vizave, është i merituar. Sipas tij, ky është një lajm i mirë për ekonominë kosovare, dhe sidomos për të rinjtë e vendit.
“Është nja lajm i jashtëzakonshëm për ekonominë kosovare, lajm i mirë edhe për vet Evropën se edhe 2 milionë qytetarëve të Evropës po u hiqet izolimi. Është lajm i mirë për të rinjtë e Kosovës, lajm i mirë për të gjithë ne dhe si i tillë të gjithë duhet t`i gëzohemi këtij lajmi”, theksoi kreu i Nismës.
Ai shprehu besimin se “99 për qind e punës është përfunduar”.
Pacolli pret “lajme të mira” në dhjetor
Zv.kryeministri Behgjet Pacolli pret që “nëse gjithçka shkon sipas planit, në fund të vitit do të kemi lajme të mira”.
“Vullneti dhe dëshira nuk mungon… Kosova është duke ecur përpara dhe është duke u barazuar me shtetet e tjera. Samiti i Sofjes, ai i Londrës, tregon qartë se Kosova është e barabartë me shtetet e rajonit dhe së bashku me shtet e tjera një ditë do të bëhet pjesë e shtëpisë evropiane”, u shpreh Pacolli
Edhe zv.kryeministri Dardan Gashi ka kërkuar nga opozita që t’i bashkohet gëzimit për lajmin e mirë.
Komisioni Evropian sot dha rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Në vazhdim priten të kryhen disa procedura nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian dhe shpresohet që kosovarët të lëvizin pa viza në zonën Schengen nga fundi i dhjetorit.