Lideri verikorean, Kim Jong Un, i ka thënë ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov se ka përkushtim për të denuklerizuar Gadishullin Korean, ka raportuar agjencia verikoreane e lajmeve KCNA.
Pas takimit me Lavrovin në Phenjan më 31 maj, Kim ka thënë se shpreson në përfundimin e konfliktit SHBA-Kore Veriore derisa për denuklerizimin ka thënë se ai proces duhet të zhvillohet “në disa faza”.
Këto çështje është shprehur ai, mund të zgjidhen “vetëm përmes dialogut kontruktiv dhe negociatave”.
Kim dhe Lavrov janë pajtuar për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve dhe janë pajtuar për mbajtjen e samitit Rusi-Kore Veriore më vonë gjatë vitit.
Vizita e Lavrovit ka ndodhur në kohën kur Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe gjenerali verikorean, Kim Young Chol, janë takuar në Nju Jork për të shqyrtur edhe një herë mbajtjen e samitit mes liderit verikorean, Kim Jong Un dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump më 12 qershor në Singapor.
Uashingtoni kërkon denuklearizimin e shpejtë të Gadishullit Korean, në këmbim të lirimit nga sanksionet dhe lehtësimeve ekonomike.