Zhvillimet e fundit politike në vend përsëri dëshmuan se Krimi i Organizuar, Oligarkia Institucionale dhe Kriminaliteti në këto dhjetë vitet e fundit kamuflohet në mënyrë shumë profesionale duke dërguar vendin në zgjedhjet e përgjithshme si të parakohshme, me vetëshkarkim, sa herë që organet e drejtësisë me seriozitet trajtojnë një hajni apo krimin e organizuar institucional.
E njëjta ndodhi përsëri dje (E martë 2017) me ngritjen e një mocionit për mosbesim ndaj qeverisë Mustafa dhe koalicionit, ku nëpërmjet këtij mocioni formal, minor, arriti të fuqizohet po nga partneri i koalicionit e si i tillë të ketë legjitimitetin e tij final që me vota shumicë të rrëzon qeverinë ekzistuese.
Krahas këtyre zhvillimeve, në pah shpërfaqen disa element mjaftë me rëndësi për opinionin e faktorin ndërkombëtar:
E para: Ngritja e mocionit ishte një skenar sa i fuqishëm po aq i përgatitur mirë nga vet partneri i koalicionit PDK, i realizuar nëpërmjet partive opozitare (Simotra) për t’i ikur përgjegjësisë për vendimmarrje politike e llogaridhënie para organeve të drejtësisë.
E dyta: Përkrahja e këtij mocioni nga vet partneri i koalicionit PDK, opinioni u bind edhe njëherë se sa të pa besë janë lidershipi i PDK-së, i cili këto 10 vitet e fundit (PDK) të gjithë partnerët e koalicionit i kanë tradhtuar po në këtë formë, me dërgim të vendit në zgjedhje të parakohshme e po ashtu edhe me mos realizim të asnjë marrëveshje politike.
E treta: Përfundimisht, shkarkimi i kësaj qeverie dhe mobilizimi për koalicionet e ardhshme politike, për herë të parë në Kosovë i hap rrugë pozicionimit të partive politike si të Djathta, të Majta dhe të Qendrës, e si të tilla do të pasuronin më tej skenën politike, duke minimizuar mundësinë që shumë parti të thirren në tri krahët (E djathtë, e majtë dhe e qendrës) për përfitime elektorate pa profilizim të konceptit politik.
E katërta: Me rastin e shpërbërjes së Qeverisë së Kosovës, Presidenti i Kosovës dje përsëri dëshmoj që ai përfaqëson klanin e dikurshëm partiak PDK e aspak gjitha partitë politike, gjithë qytetarët e vendit, i cili ishte po i përgatitur që në momentin e rrëzimit të qeverisë, nga sirtarët ‘sekret’ brenda një ore nxori zarfin e shpërbërjes së parlamentit, pa shikuar opsionet e mundësitë në dispozicion që i ofron e drejta kushtetuese e ligjore në vend sa i përket zgjedhjeve të parakohshme.
Këto veprime dhe inskenime politike në vend, qytetarit i dërgojnë vetëm një mesazh, ai është: Vota juaj është arma më e fortë për ndëshkim të krimit, nepotizmit, hajnisë, dyfytyrësisë e mbi gjitha ruajtjes së dinjitetit tuaj për katër vitet e ardhshme. Mos lejoni që vota juaj të blihet për 5 euro, e as për një mbushje telefoni.
Mos lejoni që nderi juaj të nëpërkëmbet nga ata që nuk kanë nder, ata që nuk kanë familje, e as nga ata që nuk kanë dinjitet, thjeshtë tregoni vendosmërinë, burrërinë që neve nuk na nënshtron presioni e as varfëria që na troket në portat tona, sepse ne jemi po ata që sfiduam një Serbi kur gjithë neve na izoloj jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë arsimor, shëndetësor e brutal.
Populli i Kosovës gjatë gjithë historisë ka dëshmuar se në momentet më vendimtare, më sfiduese dinë të organizohet, dinë të vetëdijesohet e mbi gjitha dinë të sfidoj të keqën që kanos të ardhmen e tij, familjes dhe gjithë vendit.