Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka përshëndetur përfundimin e procesit zgjedhor dhe vlerëson pjekurinë demokratike të treguar nga qytetarët, institucionet e rendit dhe sigurisë, si dhe të gjithë akterët politikë që kontribuan në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
“Në emër të komunitetit të biznesit, bëjmë thirrje që menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabile dhe me mandat të plotë për të adresuar sfidat ekonomike, për të avancuar projektet strategjike, për të përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe për të krijuar kushte më të favorshme për investime vendore dhe të huaja”, thuhet në komunikatë.
Komuniteti i biznesit vlerëson se çdo vonesë në formimin e institucioneve krijon pasiguri për sektorin privat, dëmton besimin e investitorëve, pengon proceset zhvillimore dhe ndikon negativisht në perspektivën ekonomike të vendit. Njëkohësisht, zvarritja e proceseve institucionale rrezikon të ngadalësojë reformat e domosdoshme ekonomike, realizimin e projekteve strategjike dhe zhvillimore, proceset integruese evropiane, si dhe përpjekjet për rritjen e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës fton të gjitha subjektet politike që, përtej dallimeve partiake, të veprojnë me përgjegjësi shtetërore dhe të kontribuojnë në krijimin e institucioneve sa më parë, duke vendosur interesin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit mbi çdo interes tjetër.
Komuniteti i biznesit pret stabilitet institucional, vendimmarrje efikase dhe një partneritet të fortë ndërmjet sektorit publik dhe privat, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, rritje të konkurrueshmërisë dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.