Është dëshmuar shkencërisht se aq më gjatë që e njihni dikë, aq më joshës do t’ju duket – të paktën kështu pohojnë hulumtuesit e Universitetit të Teksasit.
Ata i kanë pyetur studentët ta vlerësojnë njëri-tjetrin në fillim të semestrit dhe pastaj prapë në fund të semestrit, transmeton Telegrafi.
Këto vlerësime janë rritur dukshëm përgjatë kohës, duke shpjeguar se si një person që e keni vlerësuar “6” mund të bëhet shumë lehtë “9” brenda pak javëve.
Me fjalë të tjera, kur është fjala për joshjen afatgjate, estetika ka të bëjë shumë pak punë me këtë.
Një studim tjetër po ashtu ka zbuluar se, mesatarisht, shumë çifte të suksesshme e kanë njohur njëri-tjetrin disa muaj më herët para se të kenë krijuar lidhje.
Thënë më thjesht, ju asnjëherë nuk ndiheni më komod sesa kur jeni me miqtë, apo jo? Ata janë personat me të cilët qeshni, me të cilët qani dhe që ju njohin më mirë sesa familja juaj.
Prandaj, ka kuptim kur themi se shumë njerëz janë të prirë që nga miqësia të krijojnë lidhje.
Në fakt, disa prej lidhjeve më të mira fillojnë si miqësi. Mendojeni Sheryl Sandberg, e cila ka qenë shoqe e burrit të saj Dave për 6 vjet para se të krijonin lidhje.
Pastaj është Mila Kunis me Ashton Kutcher, të cilët ishin takuar në serialin “That 70’s Show” dhe kishin krijuar lidhje 14 vjet më vonë.
Por, përse ndodh që miqësitë shpeshherë të shpijnë në romancë?
Sipas ekspertëve, miqësia ju mundëson ta shihni karakterin e dikujt para se të mjegullohet nga qëllimet seksuale.
Sigurisht se asnjë lidhje nuk mund të qëndrojë pa pasur një themel të një miqësie të fortë. /Telegrafi/