Strategjia nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit ka përfshirë Ministrinë e Arsimit në një nga segmentet kyç të saj. Në Qeveri thonë se bashkë me faktorë të tjerë relevantë kanë rritur përpjekjet që ndikojnë në edukimin dhe vetëdijesimin e nxënësve nëpër shkolla.
Në përpjekje për të frenuar përhapjen e ekstremizmit fetar nëpër shkollat e vendit, Ministria e Arsimit ka përfshirë në planin e punës për këtë vit aktivitete që përmbajnë kundër-narrativin ndaj ekstremizmit.
Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit thonë se në kuadër të përpjekjeve për parandalim dhe vetëdijesim të nxënësve, po realizojnë projektin “Mbrojtja e Demokracisë Përmes Ofrimit të Alternativave Pozitive”.
Në zemër të këtij projekti është promovimi i tolerancës, barazisë dhe forcimi i vlerave demokratike.
Kreu i Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë se Kosovës, Kujtim Bytyqi, thotë se aktivitetet që bien në pjesën e obligimeve të Ministrisë së Arsimit, sipas strategjisë nacionale antiterrorizëm dhe antiekstremizëm, janë kryesisht ekstra kurrikulare.
“Do të thotë, ligjërata vetëdijesuese dhe informuese nëpër shkolla fillore dhe të mesme për aspektet negative që sjell kjo dukuri. Pastaj ka aktivitete që kanë të bëjnë më trajnim të mësimdhënësve nëpër shkolla”, thotë Bytyqi.
Kryemami i Prishtinës, Sabri Bajgora, thotë se xhamia nuk bën të jetë i vetmi vend ku mund t’u bëhet thirrje të rinjve që ta shmangin rrugët që shpien në radikalizëm. Ai thotë se fenomeni i ekstremizmit nuk erdhi aq shpejt.
“Është një proces që ka zgjatë dhe në mënyrë permanente është ngulitur në mendjet e të rinjve. Fatkeqësisht ka qenë edhe ndikimi i disa vendeve fqinje ku kanë hy dhe dalë imamë që nuk i përkasin as Bashkësisë Islame të vendeve të tyre”, thotë Bajgora.
Burim Ramadani, ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë se Kosova ka tri dimensione të ballafaqimit me këtë dukuri.
“Hapa të mirë janë bërë gjatë kësaj periudhe, mirëpo, angazhimi i familjes dhe i autoriteteve lokale duhet të jetë pjesë kryesore e të gjithëve”, ka thënë Ramadani.
Deri më tani, sipas Ministrisë së Arsimit, projektet antiekstremizëm janë realizuar në disa shkolla dhe kanë përfshirë mbi 250 nxënës.
Për t’iu qasur me efikasitet këtij problemi, strategjia antiekstremizëm e qeverisë gjithashtu përfshin trajnimin e stafit mësimor dhe bashkëpunimin me prindërit për të identifikuar më herët elementet e ekstremizmit, sidomos ato që barten përmes rrjeteve sociale, raporton televizioni publik.
Aktivitetet përfshijnë kryesisht trajnime, seminare dhe klube debati.
Bazuar në të dhënat e autoriteteve në Kosovë, që nga viti 2015 asnjë qytetar i Kosovës nuk i është bashkuar konflikteve në Siri e Irak.