Ligji e lejon abortin në Kosovë, por çka thonë përfaqësues të Medresesë dhe Kishës Katolike për këtë çështje

Prishtinë | 05 Gus 2020 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Me Ligjin në fuqi të Republikës së Kosovës, “një femër e moshës madhore mund të vendosë vet mbi ndërprerjen e shtatzënisë deri në fund të javës së dhjetë (10) të shtatzënësisë, kurse çdo ndërprerje e shtatzënisë pas javës së 10 është në kundërshtim me Ligjin e Shëndetësisë dhe duhet të bëhet me komision shëndetësor profesional”.

Aborti sipas të njëjtit Ligj, lejohet edhe pas javës së 10, madje në çdo periudhë të shtatzënisë, për arsye mjekësore.

Kurse, “për arsye kriminologjike një femër ka të drejtë ta ndërpresë shtatzëninë gjerë në javën e 22-të”.

E, megjithëse Kosova është zyrtarisht një vend laik, shpesh për shprehje të mendimit dhe vendime të ndryshme, kosovarët thirren në qëndrimet e fesë.

Qëndrimi i Kishës Katolike, për dallim nga feja Islame është shumë më strikt në lidhje me abortin.

Madje, derisa te myslimanët lejohet aborti në një fazë të caktuar edhe për planifikim familjar, Kisha Katolike për asnjë moment nuk e pranon abortin.

Don Fatmir Koliqi, famullitar në Kishën Katolike ka thënë se nuk ka asnjë formë kur Kisha Katolike e aprovon abortin.

 “Për Kishën Katolike, jeta e njeriut është vlera më e madhe dhe asnjë vlerë tjetër nuk mund të mbipeshon mbi të, kështu që çdo akt që do të ishte kundër kësaj vlerë për Kishën Katolikë është e papranueshme, është një akt kundër jetës, si i tillë është akt moral i rëndë, e si i tillë konsiderohet i papranueshëm për Kishën Katolike. Aborti pa marrë parasysh çfarë është dhe cilat janë shkaqet e tij, është një akt kundër, jetës, dhe çdo akt kundër jetës është i papranueshëm për Kishën”, tha Koliqi.

Kurse, profesori i Jurisprudencës Islame, Driton Arifi ka thënë se feja islame është tolerante ndaj aborteve deri në 40 ditëshin e shtatzënisë, ndërkaq konsiderohet mëkat aborti pasi foshnja të bëhet 120 ditë.

“Në qoftë se aborti ndodh kur ka 40 ditë që nga ngjizja e tij në mitrën e nënës, atëherë qëndrimi islam rreth këtij aborti në këtë fazë, është një qëndrim paksa më tolerant. Çfarë qëndrimi ka islami rreth atakimit të embrionit, shumica dërrmuese thonë se në këtë fazë, edhe nëse bëhet abortimi i këtij embrioni është i lejuar por jo i preferuar. Prej 40 deri në moshën 120 ditore, është e ndaluar, në nocionet tona thuhet që është “haram”, çfarë do ataku ndaj embrionit në këtë fazë dhe do të tolerohej vetëm për arsye të justifikueshme. Foshnja kur bën 120 ditë jetë në mitrën e nënës tashmë është koha kur Zoti i falë jetë, dhe meqenëse i është dhënë jeta, pastaj çdo lloj atakimi, çdo lloj përpjekje për ta ndërprerë, nuk është vetëm e ndaluar por është edhe krim, vrasje. Nëse konstatohet se rrezikohet jeta e nënës, atëherë kur konstatohet nga ekipi i mjekëve se nëna është në rrezik, atëherë ne mund ta japim dritën e gjelbër për të ndërhy dhe për ta bërë abortimin e atij fetusi tashmë që quhet në gjuhën shkencore medicinale”, tha Arifi.

Ky publikim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e Debate Center dhe Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ. /Telegrafi

Të ngjashme