Ministri Ferid Agani thotë se llogari i jep vetëm Zotit. Raporti me Zotin është punë e tij personale, por rreth dyshimeve për keqpërdorime ai duhet t’iu jep llogari ligjit dhe qytetarëve që e paguajnë. E nëse na propagandon parime e moral, e ka rastin të dëshmohet duke dhënë dorëheqje. “Në emër të Zotit me drejtësi”.
Thuajse në të njëjtën kohë që ministri Ferid Agani po iu fliste për lumturinë një grupi të rinjsh të mërkurën, po shpërndahej lajmi se ndaj tij dhe 63 të tjerëve Prokuroria e Shtetit kishte ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar gjatë kohës sa ka qenë ministër i Shëndetësisë. Bëhet fjalë rreth dyshimeve për keqpërdorim të 4.5 milionë eurove të buxhetit të shtetit.
Pak orë më parë, ndërkaq, në Prizren po protestohej dhe po kërkohej dorëheqja e tij, si një ndër përgjegjësit që me papërgjegjësinë e tij dhe të ministrisë që drejton, bëri që trevjeçarja Xheneta Gashi të vdesë nga shembja e një shtëpie. Por, Feridit nuk po i bëhej vonë. Madje i pyetur për këtë, ai tha se nuk e ndinte veten përgjegjës dhe se llogari jepte vetëm para Zotit. Arrogancë e paparë nga një politikan, i cili paguhet nga taksat tona. Një politikan, i cili tash dy mandate mban poste ministrore si rezultat i gjimnastikave politike dhe koalicioneve plotësisht joparimore. Një politikan, i cili e përdor fenë si mjet për arritjen e qëllimeve të veta.
Në njërën anë propagandon drejtësi, ndërkohë që hyn në koalicion me parti të shquara për keqpërdorime e korrupsion dhe bëhet pjesë e një aparati korruptiv. Pastaj, vazhdon të shesë përralla për parime, për drejtësi – “në emër të Zotit me drejtësi”.
* * *
Kur para disa muajsh e konsiderova farsë gjithë aktivitetin politik të Aganit, zyrtarë të partisë së tij më sulmuan ashpër. Atëherë shkrova se ai ka dështuar gjatë kohës sa ka qenë ministër i Shëndetësisë dhe nuk e ka realizuar asnjë premtim elektoral, por kjo nuk e ka penguar Isa Mustafën që t’i bëjë vend në kabinetin e tij qeveritar. Një dështaku politik, që vazhdon të shesë moral. Ashtu siç bënte edhe të mërkurën përpara nxënësve në Prishtinë, të cilëve iu thoshte se burimi i lumturisë vjen nga besimi në Zot dhe se shkenca do të ketë të pamundur që të realizojë atë që quhet shpirti, pasi që nuk mund të elaborohet si koncept.
Në vend se të merret me detyra dhe përgjegjësi që i takojnë, e për të cilat paguhet majmë nga qytetarët, ai merret me propagandë fetare në një shtet laik dhe sillet më tepër si hoxhë, sesa si ministër.
Po të realizoheshin premtimet e bëra nga Agani, kosovarët tashmë do të kishin sigurimin shëndetësor, pensionistët barna falas, vajzat që bartin shami do të shkonin pa probleme në shkollë, ndërkaq mësimi i fesë do të ishte pjesë e planprogrameve shkollore. Por, ai nuk e ka realizuar asnjë nga këto premtime. Për kohën sa ka qenë ministër i Shëndetësisë ai po ndiqet penalisht, e në pozitën që mban tash, drejt tij po drejtohet gishti për tragjedinë e Prizrenit.
Por, Feridit nuk i bëhet vonë. Akuzat ndaj tij i quajti të paqëndrueshme dhe shtoi se nuk e ka ndërmend të jep dorëheqje. “Në emër të Zotit me drejëtsi”.
* * *
Në një faqe në Facebook për të cilën thuhet se nuk është zyrtare, por administrohet nga përkrahës të Ferid Aganit, lajmet dhe fotografitë më të shumta së fundi kanë të bëjnë me iftaret në të cilat ai ka marrë pjesë. Me siguri në të tilla raste, koncepti i lumturisë për të ka kuptim të thellë. Ai edhe mund të ndihet i lumtur.
Por, a e ka pyetur veten ndonjëherë se si ndihen qytetarët e Kosovës të cilët ende nuk kanë sigurim shëndetësor, pavarësisht shumë premtimeve të tij se kjo do të ndodhte gjatë mandatit të tij si ministër i Shëndetësisë? A e ka pyetur veten ndonjëherë se çfarë jetë bëjnë kosovarët në një mjedis të tejndotur e të degraduar? Apo mendja ia thotë dhe don të na bind edhe ne se edhe sigurimet shëndetësore, edhe parandalimi i shembjes së shtëpisë së vjetër në Prizren, edhe mjedisi dhe mbrojtja e tij janë në dorë të Zotit?
Morali që aq shumë e propagandon Agani e do që ai të tërhiqet nga detyra, deri sa hetimet të përfundojnë. Ose kryeminstri Isa Mustafa duhet ta shkarkojë.
Mund të jetë e vërtetë, siç ka deklaruar një deputete e partisë së tij, se puna e vepra e Aganit kanë qenë gjithmonë të sinqerta. Por, këtë duhet ta vërtetojnë organet e drejtëisë. Deri atëherë, Agani duhet të lëshojë rrugë – “në emër të Zotit me drejtësi”.
* * *
Ferid Agani paguhet me paratë tona dhe dyshohet se ka keqpërdorur paratë tona, por thotë se llogari i jep Zotit. E ai duhet të jep llogari para nesh, para ligjit. Të mërkurën tha se lajmi për ngritjen e aktakuzës ia kishte prishur pak lumturinë. Nxënësve iu shpjegoi edhe mënyra se si ta rikthejnë lumturinë, kur ajo shndërrohet në ankth. E ka rastin që këto t’i aplikojë te vetja – deri sa ligji t’ia kthejë, ose t’ia prishë krejt lumturinë. Por, deri atëherë ai duhet të tërhiqet. Ta lë propagandën anash e të mos shesë moral. Të tregohet i moralshëm, çfarë thotë se është. “Në emër të Zotit me drejtësi”.