Presidentja Vjosa Osmani e ka dekretuar dje Ligjin e Pagave. Projektligji për Paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22 dhjetor të vitit të kaluar.
Pas dekretimit nga presidentja Osmani, ky ligj pritet të publikohet në Gazetën Zyrtare, ndërsa një muaj më pas hyn në fuqi.
Me këtë ligj, Qeveria Kurti është përkujdesur që t’i rrisë pagat bazë për vete dhe udhëheqësit e tjerë shtetërorë, shkruan Demokracia.com.
Koeficientin më të lartë do ta ketë presidenti i vendit, i cili do të jetë 18, i pasuar më pas nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, me 17.5.
Sipas projektligjit të ri për paga, tani e tutje edhe zëvendëskryeministrat, ministrat dhe deputetët do të kenë pagë bazë më të lartë.
Deputetët dhe ministrat koeficientin do ta kenë 16.4.
Ndryshime janë bërë edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Sipas projektligjit të ri, pas hyrjes në fuqi të tij edhe komandanti i FSK-së do të ketë rritje të pagës dhe koeficienti i tij do të jetë 15.
Ndërkaq, Drejtori i Policisë me këtë projektligj do ta ketë koeficientin e pagës 14.5, njësoj sikurse edhe Drejtori i Doganës.