Jo çdo kush tani mund të ketë veturë në pronësi. Kjo pasi që ligji i ri për automjete që ka hyrë në fuqi më 27 qershor 2017, ka sjellë ndryshime në disa norma për regjistrimin e automjeteve.
Këto ndryshime në normat për regjistrimin e automjeteve i ka bërë të ditura Ministria e Punëve të Brendshme, në përgjigjet e saj për Gazetën Fjala.
Në bazë të këtij ligji detyrimisht pronari i automjetit, me rastin e regjistrimit duhet të posedoj patentë-shofer. “Përdoruesi i mjetit ose bartësi i të drejtës së përdorimit të mjetit mund të jetë vetëm personi i cili posedon patentë shoferin valid për kategorinë e mjetit që përdoret”, thuhet në ligjin për automjetet.
Ata që kanë gjoba të pa paguara në komunikacion do të duhet t’i paguajnë, ndryshe nuk do të mund ta regjistrojnë veturën. Me hyrjen e këtij ligji në fuqi ka ndryshuar edhe çështja e regjistrimit të veturës më rastin e ndërrimit të pronësisë. “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”.
Tani, pasi që të ndërrohet pronësia e automjetit, shitësi i automjetit obligohet që ta çregjistroi automjetin. Por, edhe pasi që pronari i automjetit dëshiron që ta çregjistrojë automjetin e ri, me këtë ligj i jepet e drejta që të ruajë targat për një vit, për automjetin e njëjtë.
Me këtë ligji po ashtu është bërë e ditur se pronari i mjetit duhet t’i ndërroj targat e regjistrimit me të reja nëse njëra nga targat i ka humbur, dëmtuar, shkatërruar, amortizuar deri në atë masë që bëhet e papërdorshme. “Dënohet me gjobë nga njëqind (100) € personi i cili vepron në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni”.
Përveç ndryshime në ligjin e automjeteve, të cilat kanë kryesisht të bëjnë me regjistrim të veturave, tashmë ndryshime do të ketë edhe tek importi i veturave të vjetra.
Importi i këtyre veturave, paralajmërohet se do të marrë fund nga dhjetori i këtij viti. Në bazë të një udhëzimi administrativ të Qeverisë së Kosovës, të nxjerrë në vitin 2015, ishin hequr kufizimet për importin e veturave, por kërkohej që ato t’i përmbushnin kërkesat mjedisore për emetim të gazrave, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Mirëpo, nga fillimi i vitit 2018, importi i veturave do të kufizohet në vjetërsinë e tyre prej 10 vjetësh. Po ashtu, ato do të duhet të plotësojnë standardin e njohur si ‘euro katër’. Kështu tha për Radion Evropa e Lirë Burim Deliu, ushtrues detyre i Drejtorit të Departamentit të Automjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës në Qeverinë në largim të Kosovës.
Veturat e reja që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, për të cilat që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim – Asocim, nuk paguajnë taksën doganore nga vlera e përgjithshme e automjetit.
Kurse për veturat e përdorura, taksa doganore paguhet 9 për qind nga 10 për qind sa ka qenë më herët. Të gjitha veturat në Kosovë importohen nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, kurse çmimi varet nga marka dhe viti i prodhimit të veturës.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.
Ndërsa, vetëm në vitin e kaluar janë regjistruar 7 mijë 680 vetura, këtu përfshihen regjistrimet e reja, regjistrimet e përkohshme, vazhdimet, ri -regjistrimet dhe legalizimet.
Kosovarët siç duket janë të pasionuar pas veturave që importohen nga Gjermania. Tipi i cili dominon është ai dizel. Gjithsejtë 12 855 vetura të përdorura të këtij tipi kanë hyrë nga Gjermania në Kosovë gjatë vitit 2015. Vlera totale e tyre arrin mbi 31 milionë euro.
Vendi i dyte nga i cili importohen vetura për në Kosovë është Franca me rreth 1 mijë e 228 vetura. E vendet për të cilat kosovarët nuk kanë interesim për t’i përdorur veturat e tyre, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës po del të jenë, Austria, Meksiko, Belgjika.
Në anën tjetër, edhe mesatarja e veturave që janë në shitje në tregun e Kosovës është mjaft e vjetër. Sipas të dhënave që ofron gjirafa.com, në tregun e Kosovës janë në shitje mbi 37 mijë vetura.
Sa i përket kilometrave të kaluara, del se mesatarja e kilometrave të kaluara të veturave në shitje në Kosovë është 126,669 – 162,481 kilometra. Kjo tregon se veturat që janë në shitje në tregun e Kosovës janë kryesisht të vjetra dhe mjaft të konsumuara.
Kur i shtohet kësaj fakti se mesatarja e vjetërsisë së veturave të regjistruara edhe ashtu është mjaft e lartë (18.1 vjet), del se përveç pasojave në ambient dhe në trafikun rrugor, Kosova mund të përballet edhe me një sasi të madhe të skrapit në vitet në vazhdim.
Ne Kosovë janë 1 116 lloje të veturave të regjistruara, prej të cilave 10 markat më të preferuara të kosovarëve janë: VW, Opel, Mercedes-Benz, Audi, Ford, Renault, Peugeot, Fiat, BMW dhe Daimler Benz.