Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit
Kuvendi miratoi në shqyrtim parë të Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i mbledhur sot me kërkesë të kryeministrit në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, e cila drejtoi seancën, bëri të ditur që në fillim se ekziston një mocion procedural që shqyrtimi i Projektligjit për buxhetin të bëhet me shmangie nga afatet procedurale, të parapara me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.
Duke e arsyetuar këtë mocion, kryetari i GP të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se kjo seancë e jashtëzakonshme vjen si pasojë e një situate të jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi, prandaj, sipas tij, është shtruar gjithashtu nevoja që edhe shqyrtimi i projektligjit të bëhet më procedurë të përshpejtuar.
Në mocionin e propozuar parashihej që të dy shqyrtimet e projektligjit të bëhen brenda ditës së sotme.
Këtij propozimi i dha mbështetje GP i LDK-së, nëpërmjet kryetarit të saj, Arben Gashi. Ai tha se këtë mocion e arsyeton gjendja e jashtëzakonshme dhe nevoja që institucionet të kenë mjete të mjaftueshme financiare. Gashi shtoi se gjithashtu, si rezultat i zgjedhjeve dhe vonesave në formimin e qeverisë, ka ardhur një situatë kur Kosova gjendet pa buxhet dhe afatet ligjore të aprovimit të shtesave buxhetore po tejkalohen.
Nga GP i PDK-së, Memli Krasniqi tha se kjo seancë e jashtëzakonshme do të ishte e logjikshme sikur të ftohej për të diskutuar për masat kundër koronavirusit, por jo edhe për shqyrtimin e projektligjit për buxhetin. Ai tha se qeveria do ta ketë mbështetjen e PDK-së për çdo masë kundër pandemisë, ndërsa u shpreh kundër mocionit, me vlerësimin se projektbuxheti duhet të shqyrtohet në afate të rregullta.
Kryetari i GP të AAK-së, Daut Haradinaj, po ashtu kundërshtoi mocionin, duke vlerësuar se po keqpërdoret situata e cila aktualisht po mbretëron në Kosovë. Lidhur me projektbuxhetin, ai tha se është bërë masakër, sidomos në projektet infrastrukturore.
Po në këtë frymë, Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate tha se thirrja e seancës së jashtëzakonshme në këtë rrethana jo vetëm që nuk është e qëlluar, por edhe e pandershme. Ai tha se qeveria po tenton të shfrytëzojë situatën e jashtëzakonshme, për ta përvjedhur miratimin e buxhetit.
Albert Kinolli nga GP 6+, tha se të gjithë do të donin që ky projektligj, për shkak të rëndësisë së vet, të shqyrtohej në rrethana normale, por situata, sipas tij, shtron nevojën e shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar.
Duke arsyetuar thirrjen e kësaj seance, si dhe mocionin e propozuar nga GP i LVV-së, kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka garanci që do të mund të mbahet seanca në ditët dhe javët në vijim, për shkak të pandemisë.
Ai u kërkoi deputetëve që të votojnë mocionin, për shkak të situatës së krijuar.
“Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhemi, kërkojmë që ta votojmë buxhetin, duke theksuar se ky buxhet as për afërmi nuk është i ri, sa është e re qeveria. Ne urojmë që në ditën dhe javët në vijim ta ulim shpejtësinë dhe gjeografinë e kësaj pandemie”, theksoi Kurti.
Pas një pauze, me 62 vota, Kuvendi votoi pro mocionit të kryetarit të GP të VV-së, Rexhep Selimi, duke i hapur kështu rrugë shqyrtimit të projektligjit. Gjatë votimit, prezentë nuk ishin deputetët e grupeve parlamentare në opozitë.
Para deputetëve, Projektligjin e prezantoi ministri i Financave, Besnik Bislimi, i cili tha se me rregullimet që janë bërë, projektligji është dukshëm më i avancuar se drafti që e ka bërë qeveria e kaluar.
Bislimi tha se në vitin 2020 parashihet një rritje ekonomike prej 4.2 për qind me terma realë. Ai bëri të ditur se do të ketë nevojë për intensifikim të angazhimeve me mekanizmat kyç të financimit, siç janë FMN dhe Banka Botërore.
“Në këtë situatë në të cilën ndodhemi, duhet të jemi bashkë dhe ta votojmë unanimisht. I lutemi presidentit që sot menjëherë ta nënshkruaj projektligjin, në mënyrë që ta kalojmë sa me shpejt, për shkak gjendjes në të cilën ndodhemi”, theksoi ministri Bislimi.
Rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Transfere, për miratimin e projektligjit, e prezantoi kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati.
Pas tij, fjalën e mori kryetari i GP të PDK-së, Bedri Hamza, i cili akuzoi shumicën se po e trafikon projektligjin për buxhetin. Ai tha se me mënyrë se si është miratuar mocioni, është lënduar bashkëpunimi pozitë-opozitë, bashkëpunim ky i cili, sipas saj, Kuvendit do t’i duhet edhe në të ardhmen. Ai thasë problemi nuk është koronavirusi, por mos përgatitja në kohë e projektbuxhetit.
Me tone më të ashpra diskutuan përfaqësuesit e AAK-së dhe Nisma-s, Daut Haradinaj e Fatmir Limaj, të cilët i kërkuan qeverisë që, siç thanë ata, të mos fshihet pas koronavirusit. Haradinaj radhiti shumë projekte infrastrukturore nëpër komuna të ndryshme, të cilat, sipas tij, janë hequr nga projektligji, ndërsa Limaj tha se sot është futur virusi i përçarjes në Kuvend dhe ka humbur mundësia e një bashkëpunimi të mundshëm në të ardhmen.
Duke dhënë sqarime në çështjen e ngritur, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se kërkesa për 30 minuta pauzë nuk ka qenë e saj, por e grupeve parlamentare. Ajo tha se me kërkesën e opozitës për caktimin e orës së saktë për rifillimin e seancës, ka caktuar orën 17:20. Osmani tha se në këtë kohë deputetët opozitarë nuk janë paraqitur në sallë, duke krijuar kështu përshtypjen se po duan të krijojnë kushtet për miratimin e mocionit dhe pastaj kthimin në debat. Kryetarja Osmani tha se situata në Kosovë është e jashtëzakonshme dhe me gjithë këtë, sipas saj, gjatë ditës së sotme lidhur me seancën nuk është shkelur asnjë rregull.
Pas diskutimeve të deputetëve dhe sqarimeve të nevojshme nga ana e anëtarëve të kabinetit qeveritar, me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi projektbuxhetin për këtë vit, duke iu hapur rrugë katër komisioneve kryesore për shqyrtimin e tij midis dy leximeve.
LEXONI EDHE: