Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka diskutuar për vendimin e Presidentes lidhur me kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ky komision ka vendosur që ky ligj të shkoj në Komisionin Legjislativ për interpretim ligjor.
Anëtarja e Grupit Punues, Shqipe Mehmeti Selimi ka thënë se në mbledhjen e grupit punues kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e Zyrës së Presidentes, dhe sipas saj, nuk ka pasur asnjë vërejtje nga ata.
Por, ajo shtoi, se zyra e Presidentes me anë të një shkrimi ka kundërshtuar këtë ligj, pasi sipas saj, është në kundërshtim të Kushtetutës.
“Është e vërtetë që e kemi proceduar në seancë dhe ka kaluar, mirëpo pas afatit për rishqyrtim ligji është kthyer me vërejtje të caktuara thuhet se ka shkelje të Kushtetutës. Duke pasur parasysh si grup punues i kemi shqyrtuar të gjitha arsyet që vjen te kjo. Nga sponsorizuesi më është thënë se në takimet që ka mbajt kanë qenë edhe përfaqësuesit e presidentes kanë marrë pjesë në çdo takim. Në ato takime janë shtjelluar gjerë e gjatë secili nen, kanë pasur mundësi të sugjerojnë siç shkon procedura. Më është thënë se nuk ka pasur vërejtje sepse kanë qenë bashkëthemelues të ligjit. Dje i ka shkuar ftesa edhe përfaqësuesve të presidentes, ata kanë thënë se presidentja e konsideron të gjitha arsyetimet e nevojshme janë dhënë me shkrim”, tha ajo.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli tha se gjatë procedurës së ligjit nuk ka pasur asnjë sinjal që diçka nuk është në rregull nga presidentja.
“Ne jemi për të bashkëpunuar, nuk kemi pasur asnjë sinjal që diçka nuk është në rregull, prandaj është e nevojshme që t’i ftojmë përfaqësuesit e presidentes me mbajt një takim dhe se çka mendojnë ata. Sepse mendimi i tillë është abstraktë ,ajo pjesa ku në vendin thuhet që është heq nga ligji aktual është përshkrim i Kushtetutës”, ka thënë Dugolli.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni ka potencuar se për këtë ligj duhet të ketë një interpretim nga Komisioni Ligjor.
“Ne si komision duhet të dalim me qëndrim të gatshëm të merremi me të gjitha vërejtjet, sidomos nga zyra e Presidentes. Do të duhej ta kemi një interpretim nga Komisioni Ligjor”, ka thënë Quni.