Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka miratuar Draft raportin e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Ndërmarrjet Sociale, raporton Ekonomia Online.
Anëtarët e komisionit theksuan se Ligji për Ndërmarrjet Sociale, ka vendosur bazën ligjore të mjaftueshme për funksionim të ndërmarrjeve sociale, por që nuk ka gjetur zbatim që nga koha e miratimit të tij.
Labinotë Demi-Murtezi nga grupi punues tha se ky ligji ngërthen komponentën humane, si dhe ka ardhur si nevojë për ta pasuruar legjislaturën e vendit tonë.
“Kemi diskutuar disa herë për këtë ligj, kemi menduar që kemi gjetur pika të forta e të dobëta. Një nga të metat ka qenë periudha e pandemisë. Ligji në vetvete ngërthen komponentën humane, ka ardhur si nevojë për ta pasuruar legjislaturën e vendit tonë. Gjithmonë kanë dëshirë për aktivitete, por jo gjithmonë kanë gjetur mbështetje. Analiza e këtij ligji, metodologjia e punës, vizitat jashtë vendit e bënë këtë ligj të monitoruar siç shikon ligjet e Parlamentit Evropian. Kemi gjetur të dhëna të pa mjaftueshme në mënyrë që të futet në zbatim. Në takimin e fundit jemi marrë vesh, raportin që e kanë bërë këtë ligj, ta nxjerrin një raport të përbashkët dhe për ta votuar si të tillë”, ka thënë ajo.
Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku tha se Ligjit 06/L-022 për Ndërmarrjet Sociale, ka vendosur bazën ligjore të mjaftueshme për funksionim të ndërmarrjeve sociale, por që nuk ka gjetur zbatim që nga koha e miratimit te tij.
“Aktet nënligjore të parapara, shumica janë nxjerrë, mungon vetëm një. Fushata informuese e nevojshme për zbatim të ligjit është lansuar nga Qeveria, por që nuk ka arritur suksesin e pritur. Nuk ka pasur bashkëpunim dhe koordinim të mirë Qeveria me komunat për zbatim të ligjit dhe për fushata informuese. Komunat nuk ka ndihmuar në themelimin e ndërmarrjeve sociale. Nuk ka pasur aplikim të mjaftueshëm dhe deri me tani nuk është themeluar asnjë ndërmarrje sociale. OJQ-të dhe grupet e cenueshme nuk kanë qenë mirë të informuara me dispozitat ligjore, dhe ato pohojnë se nuk kanë pasur kapacitete të mjaftueshme për themelim të ndërmarrjes sociale edhe pse e kanë mirëpritur miratimin e Ligjit për ndërmarrjet sociale”, tha ajo.
Kollçaku tha se ligji ka disa mangësi dhe paqartësi dhe sipas saj disa ndryshime në ligj mund të ndihmojnë që ai të bëhet më i kuptueshëm, më i zbatueshëm dhe tërheqës për personat dhe organizatat potencialisht të interesuara/synuara për themelimin e ndërmarrjeve sociale.
“Këto ndryshime nuk do të ndryshonin thelbin e ndërmarrjes sociale, por do të lehtësojnë disa kërkesa ligjore për marrjen e statusit, rishpërndarjen e burimeve, fushën e veprimtarisë etj. Ato mund ta bëjnë ligjin më të përshtatshëm në qëllimin e tij për të përmbushur nevojat specifike të palëve te synuara”, tha Kollçaku.