Ligji për pagat mund të përfundojë në Kushtetuese

Prishtinë | 30 Qer 2019 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Projektligji për rritjen e pagave në sektorin Publik kishte ngjallur reagime të shumta në vend, madje shumë sindikata të punëtorëve patën protestuar para Qeverisë, si dhe kishin kërkuar nga presidenti mos dekretimin e këtij ligji.

Mirëpo edhe pse Presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk e dekretoi këtë ligj dhe as nuk e ktheu në Kuvend. Sipas kushtetueses, ky ligji konsiderohet i shpallur pa nënshkrimin e presidentit.

Kështu që ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligj nuk përcaktohet ndryshe.

Por, pakënaqësi të punëtorëve ka pasur në sektorë të ndryshëm publikë edhe për ulje të koeficientit, rrjedhimisht ulje të pagave.

Shumë Sindikata patën protestuar para Qeverisë, e duket se një gjë e tillë pritet të ndodh edhe nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, ka thënë për lajmi.net se sindikata ka angazhuar Avokatin e Popullit që të merret më këtë çështje, në mënyrë që ky ligj të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne në fakt kemi kërkuar që ky ligj të rikthehet në rishqyrtim edhe njëherë edhe kemi kërkuar edhe ndihmën e Avokatit të Popullit. Avokati i Popullit ka filluar me procedurat, kemi premtime që pas shumë vërejtjeve që kanë marrë jo vetëm nga Shërbyesit Civil, por edhe nga punëtorët tjerë, ky ligj duhet me doemos të kthehet edhe njëherë në rishqyrtim. Tani unë kam biseduar me Avokatin e Popullit edhe njëherë dhe pritet të shohim se çfarë do të ndodh, do të pranohet ankesa e Avokatit të Popullit edhe e Shërbyesve Civil. Por nëse ndodh që ky ligj të aprovohet ekziston rreziku që nuk kanë më mujt me përballu Shërbyesit Civil këtë diskriminim që e ka krijuar Kuvendi i Kosovës përmes kësaj forme edhe sigurisht që do t’i zgjedhim të gjitha format e mundshme të reagimit dhe nuk do të pranojmë një dallim të tillë”, ka thënë Zymberi.

Kjo sindikatë para miratimit të ligjit, kishte mbajtur disa greva, duke e quajtur këtë ligj diskriminues për mbi 22 mijë punëtorët e këtij sektori, kurse ka pezulluar ato, deri në një kohë tjetër.

“Dallimet që kanë ndodhur në mes të njëjtit profesion në sektor të ndryshëm është e tmerrshme. Po marrim shembull: një psikolog në sektorin e shëndetësisë merr diku 300 euro më shumë së në shërbimin civil, apo edhe në administratën e Kuvendit, edhe ky është ai dallimi që na nuk mundemi me e pranu. Do të ketë forma nga më të ndryshmet, por sigurisht që ne i kemi ngri grevën, nuk kemi vendim për shfuqizim edhe ne e kemi ngri deri në vendimin e ardhshëm. Kështu që vendimi për grevë është ende në fuqi dhe vetëm aktivizojmë dhe na mbetet të punojmë me të gjithë sektorët e Shërbimit Civil dhe t’i bëjmë me dije Qeverisë se nuk mund të lejohet kjo formë e diskriminimit ndaj neve”, ka thënë Zymberi.

Edhe, Nexhat Llumnica nga Sindikata e punëtorëve të KEK-ut, ka thënë se kanë dërguar ankesë tek Avokati i Popullit dhe se janë duke pritur nëse ky ligj do të dërgohet në Kushtetuese.

Llumnica po ashtu ka shtuar se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre ata do të vazhdojnë me protesta.

“Ne disa herë kemi protestuar edhe tani normal që do të vazhdojmë edhe me protesta edhe me greva sepse është i patolerueshëm për neve dhe është shkelje dhe diskriminim të punëtorëve të KEK-ut. Ne kemi dërguar ankesë edhe të avokati i popullit, në momentin që hynë në fuqi ky ligj e ka të drejtën për ankesë në Gjykatën Kushtetuese, brenda 8 ditëve. Edhe Avokati i Popullit na ka premtuar që konfrom ligjeve do të bëjë ankesë dhe do të rikthehet përmes Gjykatës Kushtetuese, përndryshe neve do të bëjmë edhe grevë, për arsye se është në shpërpushje me ligjin e punës, ne llogarisim punëtor si Shërbyes Civil dhe Administratë Publike dhe Korporata Energjetike e Kosovës dihet se në çfarë kushte punojnë punëtorët”, ka thënë Llumnica.

Ndërsa, Zenun Sadikaj, kryetar i Sindikatës së punëtorëve në Shërbimin Korrektues, tha për lajmi.net se nëse nuk realizohen premtimet që kishin marrë nga Ministri i Drejtësisë do të vazhdojnë me protesta.

“Nëse nuk realizohet ajo se çfarë na ka premtuar ministri atëherë do të shkojmë edhe me protesta, nuk kemi zgjedhje tjetër. Kemi premtime të mëdha nga ministri, ne kemi formuar një grup punues, edhe e kemi dërguar në Ministri të Drejtësisë dhe ministria pa vrenjtje e ka pranuar ka thënë se është në rregull, tash po shohim se çfarë po ndodh”, ka thënë Sadikaj.

Përveç shërbyeseve civilë, Sindikatës së Korporatës Energjetike e Kosovës dhe Sindikatës së punëtorëve në Shërbimin Korrektues Ligji për pagat pas miratimit është kundërshtuar edhe nga kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë në Kosovë (KOSTT), po ashtu edhe kirurgët e Qendrës se Klinikës Universitare të Prishtinës dhe nga mësimdhënësit e ciklit të ulët.

Ligji i pagave është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, kurse në zyrën e Presidentit kishte arritur më 12 shkurt.

Sipas udhëheqësve të institucioneve të shtetit, në bazë të këtij ligji janë rritur pagat për 70 për qind të punonjësve në sektorin publik. 

Të ngjashme