Ligjvënësit evropianë miratuan një rezolutë, që dënon përdorimin e dhunës nga ana e forcave iraniane të sigurisë ndaj protestuesve jo të dhunshëm.
Rezoluta jo detyruese, e miratuar në 19 dhjetor, kërkon lirimin pa kushte të të gjithë protestuesve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve që aktualisht gjenden në burgje.
Irani po përballet me një dënim ndërkombëtar, për goditjen ndaj protestave që tronditën më shumë se 100 qytete në të gjithë vendin, muajin e kaluar.
Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, thotë se të paktën 304 njerëz janë vrarë, gjatë disa ditëve të protestave, të cilat u shkaktuan nga rritja e çmimit të naftës.
Mijëra demonstrues janë arrestuar.
Zyrtarët iranianë kanë hedhur poshtë të dhënat e Amnesty International, si “gënjeshtra”.
Parlamenti Evropian u bëri thirrje autoriteteve që të kryejnë një hetim “të shpejtë, të paanshëm dhe transparent” mbi “pretendimet për përdorim të tepruar të forcës”, si dhe të sjellin para drejtësisë të gjithë autorët.
Ligjvënësit evropianë gjithashtu kërkuan nga autoritetet iraniane të zbulojnë numrin e përgjithshëm të personave të vdekur dhe atyre që janë arrestuar.
“Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara të fillojë pa vonesë një hetim gjithëpërfshirës për dhunën”, thuhet në rezolutë.