Në mesin e spekulimeve në rritje se SHBA mund ta pranojnë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të ngërçit me Serbinë, ligjvënësi i koalicionit qeverisës në gjermani Josip Juratoviç thotë se Bashkimi Europian nuk do të ndikohet nga vendimi i Uashingtonit, por do të mbajë qëndrimin e tij.
“Pozicioni i Brukselit në lidhje me Marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën do të vendoset ‘ekskluzivisht’ në përputhje me rregullat e bllokut dhe pa u ndikuar nga opinion i SHBA-së” tha për rrjetin informative BIRN anëtari i Bundestagut, i lindur ne Kroaci, transmeton tch.
Ai theksoi edhe një herë se Bashkimi Europian nuk është i gatshëm të importojë probleme kufitare si ato ekzistuese mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Ish -i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën nga ana tjetër i druhet një konflikti të ngrirë dhe shtron mundësinë e atij që e quan “korrigjim kozmetik të kufijve”.
“Në 2019-tën janë zgjedhjet për Parlamentin Europian, -thekson Wolfgang Petritsch,- dhe kam frikë se përbërja e re e Komisionit Europian mund ta shmangë zgjidhjen e çështjes e Kosovës. Koha pra, është esenciale në këtë rast”, ka thënë ai për gazetën beogradase “Danas”.
Petritsche e përshkruan përplasjen serbo-shqiptare si konfliktin e fundit historik ne rajon. Jam i vetëdijshëm, thotë ish-zyrtari i lartë se “korrigjimi administrativ” i kufijve ka të meta potenciale në qoftë se nuk bëhet në bashkëpunim të ngushtë me OKB-në, BE-në e OSBE-në.
Por duke theksuar se e respekton shumë fjalën e kancelares Angela Merkel, e cila është shprehur kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve, Petritsche shton se nisur nga dialogu i komplikuar ndërmjet Beogradit e Prishtinës, duhen dëgjuar me kujdes personat qe marrin vendime në të dyja kryeqytetet përkatese, ndërsa i mëshon idesë se është momenti të mbyllen një herë e mirë të gjitha çështjet e hapura të këtij lloji në Ballkan, përfshirë këtu ngërçin mes Kroacisë dhe Sllovenisë.