Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për ministrat e mundshëm të partisë së tij në qeverinë e re, që pritet të votohet ditëve të ardhshme.
Limaj ka thënë se Nisma do të nxjerrë kuadro të cilat kanë aftësi menaxheriale të dëshmuara.
Ai ka bërë me dije se nesër do të ulen si parti dhe do t’i formalizojnë emrat për ministra në qeverinë që pritet ta udhëheq Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Sonte s’mund të flas për emra. Deputetët tanë besoj do të vazhdojnë në Kuvend, dhe do të kemi ministra dike nga kuadrot tona. Si parti nesër do të mblidhemi dhe do të vendosim”, ka thënë Limaj në Klan Kosova.
Më tutje, ai ka thënë se i kanë zgjedhur Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pasi që, sipas tij, janë parti e cila është zëdhënëse e shtresave sociale.
Lideri i Nismës ka shpalosur edhe disa objektiva të Nismës në qeverisjen e ardhshme.
Limaj ka bërë apel që në Kosovë të kthehet beteja klasike politike dhe të dilet nga kjo gjendje që është krijuar në vend.
“Unë besoj që këto zhvillime që kanë ndodhur do të duhej të shërbenin si përvojë, dhe Lëvizja Vetëvendosje e ka një mundësi të mirë të nxjerrë përvoja të mira më këto që është sfiduar. Kjo është thirrja ime, të vazhdojnë të respektojnë shtetin, të respektojnë normat dhe të kenë kujdes në partneritete. Apeli im është të kthehet beteja klasike politike”, ka shtuar Limaj.