Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, ka akuzuar të nominuarin për kryeministër, Albin Kurtin, se nuk ka dhënë asnjë kontribut në shtetndërtim, raporton Ekonomia Online.
Ai në fjalimin e tij, i ka kërkuar Kurtit që të ndërrojë qëndrimin dhe sjelljet e tija, pasi që siç u shpreh Limaj, Kurti tashmë duhet të kuptoj që është kryeministër e jo në opozitë.
“Mandatari që votohet këtu duhet ta ulë kokën e më nis me punua. E ti shërbej vendit, ti marrë përgjegjësit qe i takojnë. Duhet të jesh i kujdesshëm me ata se çfarë fol se ato nuk harrohen. Albini ka shume punë, duhesh ta ndërpresë gjuhën e urrejtjes. Historia nuk fillon me juve e as me ne. Nderoni dhe respektoni ata njerëz dhe atë të kaluarës që kanë bërë. Do ta duartrokas çdo punë të mirë që do ta besh sepse do ti kushtoj Kosovës. Niseni ta shëroni urrejtjen që keni”, tha ai.
Ai po ashtu në fjalimin e tij, ia ka kujtuar Kurtit që ai asnjëherë nuk e ka njohur flamurin e Kosovës e as nuk e ka ngritur atë, madje siç tha Limaj, ka qenë Kurti i cili ka kundërshtuar marrëveshjen e Rambujesë, paketën e Ahtisarit dhe të gjitha proceset e tjera, që siç u shpreh Limaj, është derdhur edhe gjak.
“Unë ndihem krenar dhe çdo qytetar duhet të jetë krenar për kulturë dhe kapacitetin demokratik. Sepse Kosova po bën kryeministër dikë që nuk e ka njoft që 20 vjet shtetin e Kosovës, himnin dhe flamurin e Kosovës. Vendi ka nevojë për energji pozitive. Keni qenë kundër Rambujes por me Rambujen ne fituam pavarësinë. Ky njeri ka nevojë që të dijë si funksionon shteti ky mendon me përralla e romane për fjalime. pasi me fjalime nuk kryehen punë. Nuk po hy në program se ato janë pallavra. Andaj jam i bindur se para kohe je duke ardhur në pozitë.
“Harro që t’i mundesh me bërë ndonjë marrëveshje me Serbinë, as ti e as askush. S’ka mundur Hashimi e t’i harro”, tha Limaj.
Limaj i ka sugjeruar Kurtit që të mos ngutet me deklarimet e tija, pasi siç potencoi Limaj, falë pakos së Ahtisarit ai sot do të bëhet kryeministër.
Ai po ashtu kërkoi nga LDK-ja që ta mësojë Kurtin se si funksion shteti.
“Prandaj ju anëtarë të koalicionit, mësojeni se qysh funksionon shtet. Ky nuk e din që Kosova është shtet”, u shpreh Limaj.
Ndërkaq sa i përket planprogramit qeverisës, Limaj tha se nuk i beson aspak.