Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha sot në Prizren se qe tri vjet, Kosova është futur në krizë të thellë.
“Kosova në gjithë këto vite të lirisë nuk ka qenë kurrë në gjendje më të keqe se sa sot”, tha Limaj, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë të Prizrenit.
Sipas tij, vendi ka marrë një drejtim të gabuar.
“Kjo po ndodh për shkak se kemi pranuar të keqen si shoqëri dhe po bashkëjetojmë me të”, u shpreh Limaj.
Kryetari i Nismës në Prizren, Zafir Berisha, kërkoi nga qutetarët që ngisin zërin për situatën e keqe në vend, raporton Prizren Press.
“Si popull kemi kaluar shumë sfida, prandaj duhet ta ngrisim zërin për situatat problematike në të cilat gjendet Kosova”, tha Berisha.
Nisma Socialdemokrate ka njoftuar se me Prizrenin, po fillojnë turin e bashkëbisedimit me qytetarë për të trajtuar zhvillimet në vend.
Sipas Nismës, Kosova nuk po përballet vetëm me gabime qeverisëse, sepse gabimet janë normale, por fatkeqësisht Kosova është futur në rrugën e gabuar, dhe kjo rrugë mund të ketë pasoja të papërmirsueshme për shtetin.
“Koha është për ngritjen e masës kritike në veprim, derisa po cënohen bazat e shtetit me çasjen e dëmshme të qeverisë, si në politikat e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme. Më shumë se kurrë vendi ynë sot ka nevojë për bashkimin e energjive në krijimin e një alternative të re, për të ndaluar mashtrimin dhe shkatërrimin që po përjeton Kosova”, thekson Nisma, e cila në zgjedhjet e fundit mbeti jashtë Parlamentit.