Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se përgjegjësi kryesor për krizën në të cilën po kalon vendi është kryeministri Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
“Kriza qeveritare u përshkallëzuar që nga konferenca e Kurtit dhe me deklarimin e partnerit të madh për t’ia hequr besimin javën e kaluar. Vendi ynë është në një krizë qeveritare dhe jemi mbledhur t’i japim epilog kësaj krize. Në kohën kur Qeveria ka një telash, e humb edhe fokusin në zgjedhjen e problemeve dhe planeve që ka”.
“Kjo krizë pengon funksionimin normal të qeverisë dhe të atyre që duan ta kryejnë punën e tyre dhe kjo është gjendja që po ballafaqohemi që një muaj”, tha Limaj.
Ai është shprehur se si rezultat i kësaj ka ardhur edhe përplasja mes Qeverisë dhe Presidentit.
“Natyrisht që duhet respektuar vendimi i qeverisë sepse këtu ka shtet dhe kjo tregon pjekurinë e disa institucioneve që funksionojnë. Unë besoj se qeveria e Kosovës duhet ta lavdëroj shtetin e vet. Qëllimi jem ka qenë më paralajmëruar kryeministrin dhe mos mu bë peng dhe mos me pas paranojë nga institucionet e tjera dhe ky rast nuk është shfrytëzuar nga Kurti”, shtoi ai.
Ai ka thënë se duhet unitet sepse askush i vetëm nuk mund ta mbrojë Kosovën.
“Nuk mundet vetëm një njeri. Kosova kurrë nuk do të mbrohet vetëm nga një parti politike. O do e mbrojmë të gjithë, o do të dështojmë. Apeli im është që mos t’ua rëndojmë jetën më shumë qytetarëve. Sot jemi këtu për shkak se nuk është treguar lidership dhe kanë shkaktuar krizë. Përgjegjësia më e madhe është mbi kryeministrin Kurti”.
“Kosova do të ketë qeveri dhe do të ballafaqohemi dhe apeli im është që ministrat të fokusohen më shumë në komunat që kanë nevojë për ndihma”, tha Limaj.
Ai i ka thënë Kurtit të mos ketë paranoja nga institucionet e vendit.