Limaj: Kurti është plastelinë politike, bën çfarë të duash me të

Prishtinë | 25 Shk 2023 | 23:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka krahasuar me “plastelinën” kryeministrin Albin Kurti.

Këtë koment Limaj e ka bërë në një intervistë për emisionin “Blic Interview”, derisa ka folur për pozicionin e Kurtit në dialogun me Serbinë në Bruksel dhe momentin e 27 shkurtit, kur pritet arritja e një marrëveshje.

“Merre ose lëre, në këtë gjendje e ka sjellë vetën dhe Kosovën”, tha Limaj, duke e portretizuar si moment aspak të favorshëm këtë situatë.

“Të hënën ky kryeministër do të nënshkruajë një marrëveshje, e cila nuk përmban asgjë thelbësore. Praktikisht kemi një kryeministër që është plastelinë politike, plastelinë që mbaron çka të dëshirosh me të”, deklaroi Limaj.

Madje, sipas ish-ministrit të Kosovës, Kurti nuk po negocion fare në Bruksel, ai thjesht “po i negocion mashtrimet e tij me popullin e Kosovës”.

“Del thotë gjashtë kushtet, i ka përmend para dy apo tri jave, në seancë të Kuvendit nuk i përmendi më. Tash tha e kemi të gatshme marrëveshjen, nuk kemi negociuar, duhet ta nënshkruajmë”, ka komentuar Limaj deklarimet e Kurtit.

“Kur ka ardhur në Qeveri e ka ditur se duhet të ketë sjellje te një burrështetasi, se dialogu duhet të vazhdohet, se duhet të ruhet memoria shtetërore dhe jo të vazhdojë e të mashtrojë, por të ndalet edhe ta përmbyll marrëveshjen”.

“Dhe çka ka ndodh”, pyet retorikisht Limaj. “Ky ka bërë veprime mashtruese”, përgjigjet.

“Ka bërë aksione populiste, për të vazhduar për të mbajtur lart stekën e mashtrimit. Ky është dashur të koordinojë aktivitetet me botën dhe jam i bindur se nuk do të kishte ardhur në këtë pozitë. Ky ka zgjedhur rrugën më të keqe të mundshme”, deklaroi Limaj.

Të ngjashme