Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vazhduar takimet me të rinjtë e partisë së tij. Pas Ferizajt, në mbrëmje Limaj ka qëndruar në Kaçanik ku ka bashkëbiseduar me të rinjtë e kësaj partie nga degët e Kaçanikut dhe të Hanit të Elezit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se derisa ëndrra e gjeneratës së tij ka qenë liria e Kosovës, të rinjtë e sotëm duhet ta kenë ëndërr kolektive ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Limaj ka kritikuar të rinjtë se nuk janë shumë të interesuar për zhvillimin e vendit të tyre.
“Ne kemi ardhur sot në Kaçanik dhe Han të Elezit. Nisma po dëshiron që ta ngrisim në këmbë rininë tonë, ta mobilizojmë dhe bëjmë aktive. Rinia jonë duhet ta ketë një ëndërr të përbashkët, ne po duam që ëndrra e rinisë tani të jetë shtetndërtimi i Kosovës”, tha Limaj, raporton Ekonomia Online.
Limaj, i cili shoqërohej nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka ftuar të rinjtë që të paraqesin projektet e tyre, të cilat mund të mbështeten nga Qeveria.