Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ngushëlluar familjen e Halitit, viktima e parë e shënuar në vendin tonë si pasojë e infektimit me virusin korona.
“Me dhimbje mora lajmin për vdekjen e Halim Halitit, qytetar nga komuna e Podujevës, i infektuar me COVID-19. Familjes Haliti, iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar Limaj.
Gjithashtu, i pari i Nismës, përmes një shkrimi të tij në Fb, ju është drejtuar qytetarëve të vendit me kërkesën që të respektojnë këshillat e rekomandimet nga profesionistët, sepse kjo është mënyra më e mirë për ta ndihmuar veten dhe vendin në këto momente jo të lehta nëpër të cilat po kalon.
“Të nderuar qytetarë,
Vendi po kalon nëpër momente jo të lehta, por ajo që është shumë me rëndësi është se ndihmën më të madhe mund ta japim ne vet, duke respektuar në përpikëri këshillat dhe rekomandimet e profesionistëve.
Ne do ta kalojmë bashkë këtë situatë dhe pa dyshim që kjo situatë në bën që të reflektojmë duke u solidarizuar, kujdesur dhe respektuar rregullat”, ka shkruar Limaj në faqen e tij në FB.
Në fund të shkrimit të tij, Limaj është lutur për shërimin e shpejtë për të gjithë të prekurit nga ky virus, si dhe ju ka bërë thirrje gjithë qytetarëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
“Përmes këtij postimi, dua t’i uroj shërim të shpejt të gjithë atyre që janë të prekur nga ky virus, duke shpresuar që të bashkohen sa më shpejtë me familjet e tyre.
Ju bëj thirrje që të qëndroni në shtëpi, dhe në këtë formë secili e jep kontributin e vet në mos përhapjen e këtij virusi”, ka shkruar në fund Limaj.