Nisma për Kosovën ka vazhduar fushatën në kuadër të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit. Kjo parti ka bërë edhe zyrtarisht hapjen e fushatës në qytetin e Ferizajt.
Partia e Fatmir Limajt i ka hyrë seriozisht garës zgjedhore në këtë qytet.
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë në Ferizaj se njerëzit e Kosovës dhe qytetarët e Ferizajt jeni para një vendimi të rëndësishëm për katër vitet e ardhshme.
Ai ka ftuar qytetarët e Ferizajt të votojnë për ndryshime.
“Kur njerëzit janë të kënaqur me qeverisjen ajo duhet të vazhdohet, nëse njerëzit janë të pakënaqur ajo duhet të ndryshohet për hirë të komunës se tyre për t’ia dhënë një mundësi ndryshimi dhe për të sprovuar burra dhe gra të cilat ende nuk janë sprovuar”, tha Limaj, raporton EkonomiaOnline.
Koha, sipas tij, është për vendime.
“Derisa të tjerët e ushqejnë popullin për përplasje, ne po shpalosim alternativën tonë për ndryshimin e qeverisjes në vend. Rruga jonë si social-demokrat është e vështire dhe për këtë jemi të vetëdijshëm. Kemi nisur një filozofi politike, e cila nuk mashtron dhe nuk premton gjëra të paarritshme. Kemi zgjedhur një rrugë, e cila jemi të bindur se është rruga më e drejtë”, ka shtuar Limaj.
Limaj ka thënë se e kanë për detyre shtetërore për të punuar për Ferizajn dhe Kosovën pa kalkuluar në vota.
Nisma, sipas tij, nuk do të keqpërdor asnjë pozitë shtetërore për të trafikuar vota.
Nga ana e tij, kandidati për kryetar të Ferizajt nga Nisma për Kosovën, Besnik Berisha ka thënë se synimi i Nismës është punësimi i një anëtari në çdo familje.
Berisha para simpatizantëve të Nismës është zotuar se nëse kjo parti merr udhëheqjen e komunës, do të angazhohet në parandalimin e dukurive negative dhe rikthimin e dinjitetit të qytetarëve.
“Investitorëve nuk do t’i kërkojmë hise. Por, do t’i mbështesin në hapjen e vendeve të reja të punës. Në mandatin tonë qeverisës do të bëjmë rregullimin e të gjitha rrugëve në fshatra. Nisma për Kosovën me ekspertë të saj ka identifikuar problemet qe kanë të bëjnë me ujin e pijshëm dhe kjo do të rregullohet, nëse ne vijmë në pushtet në qytetin e Ferizajt”, ka thënë Berisha.
Shëndetësia, sipas tij, do të jetë prioritet i veçantë.
Po ashtu, Berisha ka premtuar depolitizimin e arsimit në këtë komunë. Mbështetje, Berisha ka thënë se do të kenë edhe të rinjtë e komunës se Ferizajt.
Berisha, është zotuar se prioritet i veçantë do të ketë edhe sporti. Krejt në fund, është bërë prezantimi i kandidatëve për asamblenë komunale të Ferizajt nga radhët e Nismës për Kosovën.