Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklarua se është pro asaj që Partisë Demokratike të Kosovës t’i takojë posti i presidentit të Kosovës.
“Mendoj që PDK-së duhet t’i takojë posti i presidentit”, është shprehur Limaj.
Sipas tij ende është larg kjo çështje, por që do të ishte pro që PDK-së t’i jepet ky post.
“Ne si Nismë mbështesim opsionin që ofron stabilitet dhe garanton zgjedhjen e presidentit. Nëse skena politike nuk arrin të gjejë formulë të ri-konfigurimit, atëherë do të shkojmë në zgjedhje. Apeli im është për të gjithë që t’i falim vendit një stabilitet dhe kjo arrihet kur të gjithë tërhiqen nga ambiciet. S’kam problem me emra të kandidatëve. Ky koalicion s’ka kapacitet të zgjedhë presidentin”, ka thënë Limaj në TV Dukagjini.
Ndërsa i pyetur për emrin e Vlora Çitakut, si presidente, Limaj tha se s’do të komentojë pasi PDK s’ka publiku ende emër zyrtar si kandidat.
Tutje, ai gjithashtu thotë se qeveria e Kosovës duhet të zgjerohet.
“Mendimi im është që qeveria e Kosovës duhet të zgjerohet dhe fuqizohet. Kosovës sot më shumë se gjithçka i nevojitet një qeverisje stabile. Unë po habitem nga sjellja e disa personave duke parë në çfarë situate gjendet vendi”, tha ai.
“Në këtë situatë të vështirë që gjendet vendi Kosovës i duhet një qeveri stabile për t’u përballur me sfidat prej atyre ekonomike deri te Gjykata Speciale. Duhet një qeveri sa më e gjerë për t’u përballur me këto situata”, tha ndër të tjera Fatmir Limaj.