Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, priti sot në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, József Bencze, me të cilin ka biseduar për situatën në vend në këtë kohë pandemie, liberalizimin e vizave, rritjen e bashkëpunimit në ekonomi, edukim, siguri, etj.
Sipas njoftimit Limaj theksoi, se Hungaria është një̈ nga vendet që vazhdimisht e kanë mbështetur çështjen e liberalizimit të vizave, ku Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe është e padrejtë që qytetarët tanë të mbesin edhe më tej të izoluar.
Ndërsa, ambasadori i Hungarisë në Kosovë, József Bencze, u shpreh se qeveria hungareze është e gatshme të mbështes me gjithë ekspertizën e saj shtetin e Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike.
Limaj dhe ambasadori Bencze diskutuan edhe për projektet që do të financohen përmes marrëveshjes financiare mes Hungarisë̈ dhe Kosovës për shkëmbimin e ekspertizës.
Kryetari Limaj ka falënderuar ambasadorin Bencze për ndihmën që shteti hungarez ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën, me theks të veçantë në fushën e sigurisë, veçmas atë të edukimit përmes bursave për studentët tanë