Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në tubimin elektoral në Drenas, ka thënë se Nisma po kthehet në një subjekt shprese e bashkimi, për t’ia dhënë një mundësi qytetit të Drenasit.
“Farën e ndryshimit që e hodhëm një vit më parë ka ardhur koha ta korrim me fitoren më 22 tetor, me kryetar Isa Xhemajlajn”, u shpreh Limaj.
Sipas tij, të zhgënjyer nga ata që e kanë udhëhequr, rreth Nismës po bashkohen intelektualët e Drenasit e njerëz të cilët kanë dhënë shumë për Drenasin. “Kjo frymë, e kjo shpresë e bashkimit të njerëzve të profileve të ndryshme, e deri dje të bindjeve të ndryshme partiake, shton përgjegjësinë e Nismës… Të bëhemi bashkë e të fortë t’ia sjellin ndryshimit Drenasit”.
“Duhet të punojmë fortë që simpatizantët e Nismës mos t’i zhgënjejmë”.
Tjetër porosi e Limajt për bashkëpartiakët e tij ishte që të komunikojnë me njerëz fshat për fshat e lagje për lagje. “Por, mos u ktheni në të kaluarën. Ofrojuni njerëzve çka ne mund të bëjmë në të ardhmen. Dëgjoni mirë sugjerimet e njerëzve se ju shërbejnë kur ju të qeverisni”.
Krasniqi: Po vjen koha për qytetarët e Drenasit, jo për pushtetarët
Votën për Isa Xhemajlajn dhe kandidatët e Nismës për Kosovën në Drenas e kërkoi edhe Jakup Krasniqi, kryetari i Këshillit Kombëtar të këtij subjekti politik.
Ai tha se koha për Nismën po vjen. “Po vjen për qytetarët e Drenasit, e jo për pushtetarët”, u shpreh Krasniqi, në tubimin e hapjes së fushatës në Drenas.
“Qeverisjes në Drenas i duhet ndryshimi i domosdoshëm dhe këtë mund ta bëjnë vetëm qytetarët e tij”.
Nisma hap fushatën në Drenas, Xhemajlaj fton të zhgënjyerit të votojnë për ndryshim
Qytetarët e Drenasit janë të zhgënjyer dhe shume prej tyre janë indiferentë ndaj daljes në votime.
Kështu ka thënë kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit, Isa Xhemajlaj, në hapjes të fushatës zgjedhore të kësaj partie në komunën drenicase, raporton EO.
Por, Xhemajlaj ka thënë se tani ka ardhur koha që qytetarët me votën e tyre të bëjnë ndryshimin dhe t’i hapin rrugës mirëqenies dhe ardhmërisë së tyre.