Kryeministri Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij janë punësuar 40 000 persona dhe si rezultat i kësaj është zbutur papunësia.
Mirëpo për profesorin e ekonomisë, Musa Limanin, këto shifra janë të paqëndrueshme, ngase sipas tij, niveli i zhvillimit ekonomik nuk mund të absorbojë një numër kaq të madh të punësuarve, ku dihet se në tregun e punës në Kosovë hyjnë diku 25-30 mijë veta.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Limani ka thënë se deklarime të tilla të kryeministrit nuk janë profesionale, por siç thotë ai, dezinformata të cilat sinjalizojnë se në prag janë zgjedhjet lokale apo qendrore.
Ai thotë se nuk ka mundësi që numri i popullsisë aktive rritet, kurse në të njëjtën kohë të bie norma e papunësisë. Ai thotë se norma e papunësisë është 45 për qind, ndërsa shton se Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), jep shifra të vogla nën presionin politik, të cilat nuk janë reale.
“Për fat të keq jo vetëm me këtë rast, por edhe me disa tregues të tjerë në pikëpamjet institucionale jepen dezinformata. Kjo që e thotë kryeministri, ne do të ishim të lumtur sikur të ishte e vërtet që në këtë periudhë janë punësuar 40 000 persona. Mirëpo, sipas të dhënave me të cilat ne e dimë që maksimumi brenda një viti, duke pasur parasysh sektorin privat dhe atë publik, kanë mundur të punësohen 6 000 deri në 10 000 persona. Për dy vjet nuk kanë mundur me u punësuar 40 000 persona edhe pse në vit është dashtë të punësohen 20 000”, ka thënë Limani.
“Prandaj struktura ekonomike dhe niveli i zhvillimit ekonomik nuk mund të absorbojë një numër kaq të madh të punësuarve, ku dihet se në tregun e punës në Kosovë hyjnë diku 25-30 mijë veta, kurse punësohen 10 mijë, maksimumi, prandaj 50 për qind e popullsisë aktive mbetet e pa punësuar”, ka theksuar Limani.
“Nuk ka logjikë që numri i popullsisë aktive rritet, kurse norma e papunësisë bie, në të njëjtën kohë kemi edhe uljen e punësimit, që njëherit del Qeveria e thotë se kemi ulje të pa punësisë. Këto sipas meje janë deklarata që na sinjalizojnë se në prag janë zgjedhjet, jo vetëm ato lokale, por edhe ato qendrore dhe kjo tregon se janë deklarata politike dhe aspak në aspektin profesional”, ka theksuar Limani.
(Intervista e plotë publikohet nesër – e diele)