Telenovela Neimar dhe Agim Bahtiri : U bë përrallë kthimi i Neimar te Barcelona pasi nuk dëshiron më të luaj në PSG. Barcelona mori 222 milionë euro të buta nga emiri i PSG dhe tani dëshiron ta rikthejë , jo duke e paguar shumën e kërkuar por se ofron 120 milionë dhe dy lojtarë , fillimisht Kutinjon që në ndërkohë kaloi në Bajern dhe Rakitiqin ndërkaq që PSG kërkonte ato para plus Kutinjon dhe Dembelen për ta përmbyllur këtë telenovelë futbollistike. Deri më tani nuk ka një lëvizje konkrete dhe në lojë janë futur Reali dhe Juventus . Dhe Feronikeli . Realisht , si simpatizues i Barcelonas u pata gëzuar kur Neimar u largua nga ky ekip për faktin se u pati shndërruar në një simulues që e dëmtonte lojën e Barçës. Ende pa ardhur te topi rrëzohej dhe nuk ishte lojtar që respekton rregullat e lojëa . Pastaj , afër një gjeniu të papërsëritshëm siç është Lionel Mesi , mbeti dhe do të mbetej nën hije edhe kur Mesi nuk do të ishte në lojë. Ousmane Dembele është një talent i jashtëzakonshëm dhe vetëm 21 vjeçar. Po të kishte disiplinën e Ronaldos , korrektësinë dhe përkushtimin e Mesit , Neimarin do ta barte për brezi duke luajtur , si virtuoz që është. Mirëpo llastimi i madh po ia dëmton karrierën duke e humbur përkrahjen e Barcelonës e që po e vë në pozitë të Mario Ballotelit dhe Adnan Januzajt që as së afërmi nuk realizuan karrierë në përputhje me cilësitë që i kanë. Ousmane Dembeles duhet t’i jepen 59 friska bythëve për ta lëshuar në tokë ndryshe do të lëvizë nga klubi në klub dhe do të shndërrohet në një mesatare të zbehtë përkundër se është një diamant futbollistik , deri më tani i pagdhendur dhe i papërpunuar. Duket se edhe humbja e dy rasteve të 100% kundër Liverpulit në Barcelonë pas së cilës u eliminua e ka futur në listën e zezë të Mesit dhe dihet se në Barcelonë Vox Mesi është Vox Dei apo fjala e Mesit është fjala e Zotit .
Agim Bahtiri është një personalitet i jashtëzakonshëm që profilin profesional , politik , kombëtar , moral dhe njerëzorë e ka formuar në njërin nga shtetet më demokratike në botë ku lejohet përdorimi i barit dhe ku blihen shërbimet seksuale , në Holandën e mullinjve të erës , kanaleve me ujë dhe tulipanëve . Dhe talentëve të Ajaxit. Si kuadro shumë i nevojshëm . duke i lënë kushtet përrallore në Holandë u kthye në Kosovë për të kontribuar , me përvojën e tij të gjatë në rindërtimin e Kosovës dhe të demokracisë. Si formë dhe përmbajtje për veprim politik dhe kombëtar e zgjodhi partinë më patriotike shqiptare , që nga koha e Nikolla Pashiqit e deri më sot , AKR –në që udhëhiqej dhe udhëhiqet nga patrioti më i shquar ndërkombëtar , Behgjet Pacolli dhe për dy mandate e fshiu nga udhëheqja e Mitrovicës PDK-në duke e mundur , së pari Avni Kastratin , të cilin , në vend se Kadri Veseli ta dërgonte në internim , e bëri ambasador në Slloveni. Së dyti e mundi një zonjë të përkushtuar , Valdete Idrizi që e fitoi një çmim ndërkombëtar si femra më e guximshme pasi u rrah mirë e mirë ! Po del se për politikën kosovare Agim bahtiri paraqet vlerë sikur që Mesi paraqet vlerë në futboll. Prandaj nuk është e rastit që Albin Kurti e cilësoi Agim Bahtirin si Hasan Prishtina i ditëve tona e që ne , të painformuarit dhe injorantët besonim se Baca Adem Demaçi është vazhdimësi politike dhe kombëtare e Hasan Prishtinës. Albini e ka vlerësuar drejt Agimin por edhe Agimi gjithashtu Albinin. U bë një binom i pazëvendësueshëm dhe mbase i vetëm për bashkimin e Mitrovicës dhe jetësimin praktik të pavarësisë kombëtare , si kusht i domosdoshëm për bashkim të trojeve shqiptare. Agimi, me çifteli dhe sharki , Albini me politikë. Një politikani të madhërishëm , sakrifikues dhe disident sikur që është Agim Bahtiri i binin ngushtë rrobat e Behgjet Pacollit me të cilin e lidhte vetëm dashuria e madhe për atdheun të cilën , më vonë Pacolli e zëvendësoi me dashuri të madhe ndaj Hashim Thaçit. Agim Bahtiri , disa herë dërgoi sinjale se mund ta braktisë AKR-në për të kaluar në LVV sepse koha nuk pret dhe se Kosova , si dhe mbarë shqiptaria gjindet para sfidave të mëdha dhe këto sfida mund t’i bartin në supet e tyre dy herkulët e politikës shqiptare , Agim Hasan Prishtina dhe Albin Kurti. AKR nuk besonte se Agimi , si gjithëherë e ka seriozisht duke luajtur dhe përqeshur me vendosmërinë e Agimit. Dhe në fund , çka nuk e arriti Barcelona me 120 milionë euro dhe dy lojtarë që vlejnë 200 milionë euro ,e arriti LVV duke e transferuar Agimin në LVV , pa e shpenzuar edhe as një euro të vetme të parasë publike e që nuk është para e popullit. Me një pompozitet të madh medial , Agim Bahtiri iu bashkua Albin Kurtit , duke mos i vënë kushte shumë të rënda LDK-së për një koalicion parazgjedhor ; Albinin kryeministër sikur edhe dy ministri krejtësisht të parëndësishme siç janë ajo për Punë të Brendshme , ( e stupcit ) dhe ajo e Drejtësisë ( e Dubravës apo e Dyzit ). Shumë modest është Agimi. Pas këtij transferi fenomenal filluan sulmet e paarsyeshme ndaj Agimit ; dikush e quajti jashtëtokësorë , tjeri hajvan me letra , pastaj vjedhës i mandatit , mishngrënës kanibal së bashku me Veselin dhe Thaçin në një tryezë , Agim peçurka , Agim kazanova etj. etj. Realisht , nuk e kam të qartë pse i tëri ky mllef dhe urrejtje ndaj Agimit në kohën kur kemi tansfere tjera krejtësisht minore në subjektet tjera politike e që nuk i nënshtrohen rentgenit linçues sikur Agim Bahtiri . Agimi , me këtë transfer ia kaloi edhe përrallës për Ali Babën me 40 xhuxhët ( gojëkëqinjt thonë se janë 40 hajna ) , sepse kaloi në LVV me 600 ushtarë të trajnuar dhe të përkushtuar për çështje kombëtare , deri në sakrificën sublime që vetëm AKR di t’i trajnojë ! Të shohim ku qëndrojnë subjektet tjera politike me këto dhe kësi transfere .
Ldhja Demokratike e Kosovës : LDK nuk ka bërë asnjë transferim pompoz vetëm se ka bërë lëvizje brenda partisë . Isa Mustafa , me një saktësi prej filigrani e ka qëndisur partinë sipas nevojave që i ka , gjithsesi afatshkurtëra. Me këto lëvizje , Isa Mustafa e ka shpëtuar LDK-në nga një përçarje e thellë të menjëhershme për ta shtyrë këtë përçarje që do të ndodhë pashmangashëm për më vonë kur partia më nuk do t’i duhej asgjë. Nga një luftëtar i prapavijes , me tendencë të pensionimit politik , përmes Këshillit të Përgjithshëm e bëri një rirregullim të brendshëm , duke i eliminuar kundërshtarët që mund t’i rrezikonin planin dhe strategjinë dhe duke krijuar hapësirë për të anatemuarit e dikurshën , në me krye ingjen Vjosë e cila dikur rrinte fytyrëngrisur sikur të ishte përgjegjëse e vetme për më shumë se 85.000 zjarre në Amazon. Tash , sikur Madona vetëm po buzëqesh , deri sa të bëhet kryeministre e Tanzanisë. Thuhet se budallenjt janë njerëzit më optimist dhe se dalin me krahasime të denja vetëm me Teorinë e Relativitetit duke e krahasuar ingjen Vjosë , me Angel ( in)a Zholi alias Merkel. LDK akuzon partitë tjera për korrupsion dhe krim të organizuar në ndërkohë që në Këshillin e Përgjithshëm dhe Kryesinë e LDK-së ka futur anëtarë që kanë bërë disa kundërvajtje të vogla duke vjedhur disa miliona euro , duke punësuar ndonjë vëlla apo djalë ose vajzë ( kujdesi primar familjar ) apo duke vrarë një apo disa persona. Shiheni kryesinë e re të vjetër të LDK-së , si Çeta e Elefantëve ( Profetëve ) që do ta dërgojë këtë parti drejt greminës politike. Dy prurjet shumë premtuese nga shoqëria civile që paralajmëronin reforma dhe demokratizim të brendshëm të LDK-së , Lumir Abdixhiku dhe Driton Selmanaj tashmë u ndanë ; Lumi në krah të Isës kurse Dritonin e mori lumi i eliminimeve së bashku me Armendin , Xhevatin , Arbenin dhe të tjerë. Lumiri u tregua më i kujdeshëm duke e eliminuar retorikën e dhunshme kurse Dritoni e forcoi retorikën përjashtuese duke përdorur një fjalor akuzues dhe përjashtues . E humbi garën për kryetar të degës në Prizren dhe tash ka gjasa reale të mos zgjidhet as deputet. Po shoqëria civile nuk është njerkë por është një Nënë e Madhe që kujdest për bijtë dhe bijat e braktisura prandaj Dritoni ka prapavijë të sigurt. Arbeni nuk kaloi për Kryesi ndonës për politikë dhe sjellje është , së paku Ajnshtajn për së paku 90% të krysesisë aktuale . Po këto janë çështje të brendshme të LDK-së dhe nuk duhet të gjykohen nga askush. Kush është kryqëzuar nga hasreti Isai , le të pret mëshirën e Zotit , në rastin konkret në LDK –ë , hasreti Isai është vet Zoti. Ismetin e spostoi nga pozita e sekretarit për ta kandiduar për kryetar të ….. Hajkobillës. Nëse mediat e kanë treguar drejt se cilat kritere duhet t’i plotësojë kandidati i LDK-së për kryeministër del se kriteri i dytë qenka qëndrimi i dëshmuar kundër PDK-së e që për mua është qëndrim racist , kushdo që e mbanë këtë qëndrim . Po nëse ky qëndrim mbetet ende në fuqi dhe nëse qenka i vërtetë , e kam një kandidat të shkëlqyer për kryeministër që e urren shumë PDK-në dhe krejt këta të luftës së fundit , Vojisllav Sheshelin . Çfarë racizmi , nëse ky kusht është i vërtet qoftë edhe si kriter i sajuar . Pastaj , LDK –ë apo disa “ skifterë “ të tredhur të saj që nuk kanë qenë në gjendje ta përzënë macën prej pësheshi , LVV-së , midis tjerash i vendosin kusht për koalicion përkuljen dhe përuljen para varrit të Ibrahim Rugovës në ndërkohë që në mënyrën më të turpshme , më të pamoralshme dhe më të poshtër të mundshme e bojkotuan , në mënyrë të organizuar respektin për Bacën Adem Demaçi pasi kaloi në përjetësi , që nga çasti i vdekjes e deri te varrimi ! Këta të pafytyrë pastaj të vendosin kushte ?!!! Mund të arsyetohet Isa Mustafa që për shkaqe shëndetësore nuk ishte në gjendje të jetë i pranishëm gjatë varrimit apo homazheve por se nuk e kuptoj që dikush të ketë aq shumë urrejtje siç e bëri LDK –ë 100% për rastin e Adem Demaçit . Atëherë Isa Mustafa nuk ishte mirë me shëndet prandaj edhe ndikimi te anëtarët e partisë ishte i vogël ndryshe , në rrethana normale po t’u thoshte Isa Mustafa anëtarëve të LDJK_së, jo ta nderonin Adem Demaçin por edhe Ivica Daçiqin , këta do ta bënin këtë , disa për hatër të Isës, të tjerët për kujtim të Rrahman Morinës dhe respektit ndaj Ivica Daçiqit . LDK nuk mund të ndërtojë ardhmëri mbi gjuhë të urrejtjes dhe duke përdorur fjalor përjashtues shkaku se nuk kanë koçe por as emri nuk i lejon për këtë. LDK mund t’i fitojë zgjedhjet por se nuk e ka edhe aq të sigurt. LDK nuk duhet t’i vë asnjë kusht LVV nëse e kanë përnjëmend sepse kushtëzimi është thirrje për mosbashkëpunim! Partneriteti pa kushte , sjellë rezultate kurse partneriteti i kushtëzuar mund t’iu sjellë pushtet i cili nuk zgjatë shumë. Përralla janë pohimet se LDK dhe LVV mund të fitojnë 70 mandate. Për bindjen time , në rastin më të mirë do të kishin 50 mandate , nëse shkojnë me një listë të përbashkët. Koalicioni pas zgjedhjeve është më i qëndrueshëm dhe më efikas . Po e shohim !
Partia Demokratike e Kosovës : Para se t’i vendosnin vija të kuqe kurse Ismet Beqiri i vuri dy vija të kuqe , PDK –ë kishte aksione shumë të ulëta politike. Tash , me infuzionin që i dhanë subjektet politike në formë të vijave të kuqe , aksionet e PDK-së janë rritur shumë. Madje , nëse shkohet në zgjedhje , pa koalicione të mëdha parazgjedhore , LDK dhe PDK do të luftojnë për vend të parë. Me fajin e subjekteve tjera politike . Kërcënimi dhe përjashtimi 100% i PDK-së ka mobilizuar anëtarësinë e kësaj partie që është para zgjedhjes hamletiane ; të jesh apo të mos jesh , kjo është çështja sot ! Subjektet politike po e bëjnë një gabim të madh politik ; në vend se publikisht të deklarojnë se do të bashkëpunojnë me të gjitha partitë ku kanë interes e që brenda ta mbajnë qëndrimin që e kanë , duke bërë përpjekje të fitojnë vota , jo në saje të programit politik dhe ekonomik , por në saje të gjuhës përjashtuese, vetëm sa e lënë në lojë PDK-ë e cila madje edhe është forcuar. Tash , ta përjashtoni dikend duke u thirrur në të kaluarën kur as vet nuk keni të kaluar të mirë apo edhe keni qenë pjesë e asaj të kaluare që sot e mohoni , është e pamoralshme dhe politikisht jo në rregull! PDK ka filluar fushatën para shumë kohe duke shkuar nga dera në derë , si lypsarë . As PDK nuk dallon nga partitë tjera duke promovuar dhe reklamuar aderimet , krejtësisht të parëndësishme dhe duke i dhënë peshë sikur të bëhej fjala për vet Çerçillin apo Xhorxh Bushin , Plakun , të Riun dhe më të Riun. Merreni me mend ; halla Rukije , në moshën 79 vjeçe iu bashkua PDK-së për ta luftuar korrupsionin , krimin e organizuar dhe nepotizmin me të vetmin kusht që burri i saj të bëhet ambasador në Leshkoqiq ! PDK – ë po gabon që po e bënë seleksionimin e mediave në pozitive dhe negative ; Kadri Veseli duhet të shkojë vullnetarisht te Berat Buzhala nëse do të jetë demokrat dhe i besueshëm ! PDK –ë nuk është e gatshme për opozitë , jo në baza vullnetare .
Lëvizja Vetëvendosje : LVV po i kushton rëndësi të veçantë promovimit të figurave që kanë aderuar në këtë parti ndonëse nga ata nuk do ta kenë as edhe një grusht të votave. LVV po gabon rëndë që po i vardiset aq shumë LDK-së dhe i vetmi arsyetim është se refuzimin eventual të LDK-së për koalicion parazgjedhor ta përdor si armë kundër LDK-së gjatë fushatës zgjedhore. LVV duhet ta ketë të qartë se PSD nuk është pjesë e këtij subjekti dhe se nuk ka nevojë aspak të merret me këtë parti . PSD , nëse asgjë nuk ka bërë , ka merita të mëdha që e ka neutralizuar rolin shantazhues të Listës Serbe dhe këtë LVV duhet ta pranojë. LVV nuk duhet të vë vija të kuqe ndaj askujt , së paku ndaj PSD sepse kjo është pjellë e LVV . Albini , me fekondim politik ka krijuar PSD , fillimisht si embrion i dështuar i FER –it të cilës iu bashkangjit edhe një pjesë shumë aktive e LVV. Përjashtimi në politikë bëhet vetëm për çështje madhore për shtetin dhe kombin e jo për hatërmbetje dhe inate personale. Nuk e besoj se LVV është favorite për të fituar zgjedhjet dhe as Albini do të bëhet kryeministër ( unë nuk do të kundërshtoja ) për shkak të kontekstit ndërkombëtar . Ambasadori i SHBA-ve , Filip Kosnet , pasi u shpërbë Kuvendi i Kosovës doli me një deklaratë ku pika kryesore dhe kyçe ishte se : ‘ tash Kosova në kohën më të shpejt duhet të formojë institucionet e besueshme për të vazhduar bisedimet me Serbinë me ide të reja dhe kreative …’. A janë idetë e Albinit dhe të LVV ide të reja dhe kreative për bisedime me Serbinë sipas kritereve dhe standardeve të shteteve perëndimore ?! Dhe a do të mund Albini ta bëjë kthesën e madhe për bisedime me Serbinë pa e thyer qafën politike ?! Qëndrimi i Albinit dhe LVV për bisedime është logjik dhe i drejtë dhe si i tillë nuk është i pranueshëm për shumë shtete perëndimore që nuk përtojnë edhe një herë ta shqyrtojnë statusin e Kosovës prandaj e tolerojnë Serbinë të vazhdojë me krime kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj !
Alenca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia e Kaçushës : AAK –së , sipas analizave të mia nuk qëndron keq me vota , madje kurrë nuk ka qenë më mirë . Në saje të Ramushit që është lider karizmatik dhe i padiskutueshëm , Dautit që nuk duket fort në publik por se , si në lojën pllej stejshën , luan nga hija, dhe rezultatet i ka siç ai i planifikon . E ka edhe Ahmetin e Vogël dhe Teutën e Madhe. E ka një lojtar shumë spirituoz në hije por se është shumë i efektshëm , Besnik Tahirin dhe dy zonja shumë sharmante dhe elokuente , Albenën dhe gruan e Skenderbeut – Donikën. Tash , me këta të PSD –së , jo që marrin shumë vota por se e kanë mprehur shumë tehun goditës për debate e kompletojnë edhe anën tjetër të medales . AAK do të ndahet shumë mirë nëse në ndërkohë nuk do të kemi tërmet në Filipine! Edhe këtu kanë aderuar shumë figura të shquara dhe të pashquara , kryesisht sportistë dhe yje apo yllëza të estradës. Dikush po thotë se këta këngëtarë dhe këngëtare të AAK-PSD do të këndojnë pas rezultateve të zgjedhjeve apo , nëse nuk iu del si kanë menduar do të këndojnë në syneti dhe kanagjeqe. Madje , si kuriozitet , në AAK –ë ka aderuar edhe Kaci , më i njohuri që prenë dhe rruan lesh por se mendoj se më mirë do të ishte të aderonte dikush që me sukses dhe shumicë i rruan votat e të tjerëve .
NISMA për Kosovën dhe Aleanca Kosovare për Rrena ( AKR ) : Nisma për Kosovën bëri koalicion spektakular me AKR-n e cila , as në përrallat e Zhyl Vernit dhe të Ezopit nuk do ta kalonte pragun. Këtu Agim Bahtiri ka plotësisht të drejtë kur thotë se pa te , AKR nuk do ta kalonte as 5% në Mitrovicë. Ky koalicion krejtësish panatyrshëm i natyrshëm , ia mundësoi Fatmir Limajt që të bëhet kandidat për kryeministër , në mesin të gjithë kryeminstrave të partive tjera . Por , jam i sigurt se Pacollin dhe AKR-ën nuk e mbanë në lojë Fatmir Limaj dhe Nisma por , deri sa Hashim Thaçi të ketë frymë politike në Kosovë , FTYRA e Behgjet Pacollit do të jetë imazh politik në Kosovë , i pashmangshëm dhe i pazëvendësueshëm. Edhe Fati si dhe Begja deklaruan se ky koalicion do të jetë përcaktues për formimn e qeverisë së ardhshme të Kosovës që nuk e besoj aspak. Madje , mendoj se Nisma pa AKR dhe tovarish Pacollin do të fitonte më shumë vota , me AKR –në mund të ndodhë të shkojnë si Romeo e Xhuljeta në recycle been.
Kemi filluar të nxehemi për zgjedhjet e parakohshme për të cilat besoj se nuk do të prodhojnë asnjë ndryshim përveç se do ë riciklojë të njëjtit politikaj , në ambalazhim tjetër.