Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mbajti fjalim në mbledhjen komemorative në Skenderaj për vdekjen e Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.
Rama ka thënë se kjo është një ditë e trishtuar, duke shtuar se ka respektin më të thellë për familjen Thaçi.
“Erdha këtu për t’i dhënë lamtumirën bacës Haxhi, me respektin e thellë për këtë familje të njësuar me historinë e Kosovës, falë njërit prej djemve të tij, Hashimit. Kjo është një ditë e trishtuar dhe në këtë ditë jam këtu me ty nana Hyrë, sepse e di mirë se çfarë do të thotë të jesh prind i një politikani, e posaçërisht, nëna e një politikani. E kam përjetuar, pranë nënës së Edit. Jam këtu me gjithë familjen tuaj, të cilës sot i mungojnë dy burra. E di dhe më mirë se çfarë do të thotë të jesh bashkëshortja e një politikani, aq më tepër një udhëheqësi, aty ky fryn dhe nuk pushojnë erërat e forta, e përjetoj çdo ditë”, tha Linda Rama.