Lindja me operacion nuk është rruga më e lehtë

Prishtinë | 31 Gus 2016 | 08:41 | Nga

Në Shqipëri tashmë po bëhen gati dy dekada që nuk flitet më për lindje natyrale. Kur dëgjohet ndonjë e tillë, të gjithë e shohin me habi nënën “heroinë”, a thua se është harruar si vinim në botë dikur.

Për mendësinë e sotme, nuk ke pse kalon gjithë vuajtjet shumorëshe të lindjes kur pas një operacioni të thjeshtë mund të marrësh në krahë beben.

Zgjedhje e nënave të sotme apo e mjekëve për të rritur fitimet? Nuk mund të abuzojmë duke dhënë një përgjigje të saktë, përgjigjja më e natyrshme është që dëshira e nënave për ‘të mbaruar pune’ shpejt e shpejt përputhet dhe me dëshirën e doktorëve për të mos u përballur me orët e gjata të dhimbjeve dhe rrezikut të lindjeve, por dhe për fitimet që vijnë nga operacionet.

Ndërkohë që nëpër botë lindjet me operacion nuk janë zgjidhja e parë ndaj dhe vendimi i një nëne për të lindur në mënyrë jo natyrale, vijon të ngjall debat.

Një mesazh i postuar në rrjet nga një nënë në Missouri të Shteteve të Bashkuara pak e nga pak është duke rrëzuar shumë ‘mite’ jo të vërteta për operacionin cezarian.

Në 19 gusht, Raye Lee, që lindi djalin e vet Roxas pikërisht me një operacion të tillë, ka postuar në Facebook fotografitë e vrajës së pas-lindjes. Lee e fillon publikimin e saj me një koment që përfaqëson dhe reagimin më të përhapur ndaj operacionit cezarian: “Oh, me operacion?

Pra në të vërtetë nuk është se ke lindur. Duhet të jetë shumë e thjeshtë të ndjekësh rrugën më të thjeshtë”. Nëna e re ka komentuar me sarkazëm:

“Në fakt më leverdiste shumë të kisha 38 orë dhimbje përpara se të lindja dhe që çdo kontraktim i imi të rriskonte t’i ndalonte zemrën bebit”.

“Që në fillim më thanë që nuk do kisha nevojë që të lindja me operacion… pastaj më vonë më thanë që duhej të futesha në operacion dhe kjo më tronditi”, vazhdon ajo, – “nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër dhe kjo ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar fëmijën”.

Nëna e re ka shpjeguar se një lindje e tillë nuk është aspak e këndshme dhe se muskujt në fund të barkun priten dhe shkatërrohen, kjo nuk ka si të jetë një eksperiencë dhe aq e bukur.

“Kjo është gjëja më e dhimbshme që kam provuar “, ka shkruar ajo. “tashmë i përkas atyre nënave mjaft të guximshme, që kanë një vrajë që rrëfen se si e kam lindur fëmijën dhe si kam mbetur gjallë për ta rrëfyer”.

Lee e ka mbyllur postimin e saj me një mesazh për të gjithë ata që mendojnë që lindja me operacion është një përvojë e lehtë:

“Kur infermierja vjen e të thotë se mund të provosh të zbresësh nga shtrati dhe trupi i ndarë në copa dhe i qepur të dhemb kaq shumë , atëherë e kupton se sa pa vend është ajo thënia se lindja me operacion është gjëja me e thjeshtë”.

Postimi i saj në facebook ka marrë 14,000 ‘like’ dhe në një koment më pas ajo ka thënë që nuk e kishte menduar kurrë që kjo shfryrje dufi nga ana e saj do kishte arritur tek kaq shumë njerëz dhe se është shumë e lumtur të marrë vesh që nuk është e vetmja grua që ka të tilla ndjesi pas një operacioni cezarian.

“Jam shumë e lumtur që shumë njerëz janë bërë të vetëdijshëm që jo të gjitha nënat mund të lindin në mënyrë natyrale”, shkruan nëna e re amerikane.

Një realitet kaq të ndryshëm nga ky i yni, kur lindja natyrale nuk mendohet fare si opsion dhe nënat e reja falënderojnë në rrjetet sociale mjekët që i operojnë./living.al

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme