Lindja, vdekja dhe rilindja e Apolonisë

Prishtinë | 07 Kor 2016 | 11:49 | Nga

Apolonia e lashtë, përbën rastin më unikal të formimit dhe zhdukjes së qytetërimeve në histori. Ky qytet është lindur, ushqyer dhe më pas vdekur nga fuqia dhe anatemimi i të njëjtit lum; Lumit Aos ose Vjosë. I formësuar dhe ngritur në shpatullat e kodrës së Pojanit, qyteti u rrit duke lëvizur, zgjatur dhe shkëmbyer thesaret e jetës së tij nëpër lumin Vjosë, në fushën më pjellore të fushës së Myzeqesë. Nëpërmjet këtij lumi, atëherë i lundrueshëm, qytetarët e parë krijues, por edhe banorët që u ngulitën dhe krijuan aty jetët dhe familjet e tyre, kishin portën hyrëse dhe dalëse për në detin Adriatik.

I pagëzuar me emrin e perëndisë së diellit, qyteti i krijuar në vitin `588 para Krishtit, ishte një ndër 30 qytetet me të njëjtin emër, por që rastisi më i rëndësishmi, sidomos si një qytet ndërlidhës tregtar mes helenëve dhe ilirëve. Si në legjendat e lashta, ku dashuria e madhe kthehet në një lloj urrejtjeje, Lumi Vjosë, i vulosur në monedhën tregtare të Apolonisë si një atlet trupfuqishëm, u largua nga qyteti, duke prerë kështu ujdhesën dhe jetushqyerjen e më shumë se 60 mijë banorëve.

Gjashtë kilometër u largua shtrati i lumit nga portiku hyrës i qytetit, duke kthyer fushën e Myzeqesë në një grumbull aluvionesh e mbetjesh të ujit të dikurshëm. Kjo solli në skenën e zhvillimit të tij skenën e tragjedisë. Në këtë skenë, po projektohej tharja e jetës, tharja që po përkthehej në vdekje të ngadaltë të qytetit madhështor dhe të zhurmshëm. Pas 8 shekujsh bashkëjetese me lumin simbol të jetës dhe zhvillimit, në shekullin e tretë të erës sonë, konkretisht në vitin 234 të erës sonë, pas një tërmeti që tronditi edhe themelet e qytetërimit në bregdetin lindor të Adriatikut, vdekja e Apolonisë erdhi ngadalë nëpërmjet syve ngjyrëkaltër të Vjosës.

Asgjëkund nuk mund të shkruhet dhe të gdhendet kaq bukur edhe tragjikisht për lindjen dhe vdekjen e një qyteti, me kryet dhe shtatin në kodrën e rrahur nga dielli dhe me këmbët në thellësitë e ujërave të kaltra të Vjosës. Për Apoloninë e lashtë është thënë dhe stërthënë shumë. Por lindja dhe vdekja e këtij qyteti nuk mund të kuptohet pa pushtetin e një lumi, një lum që i dha dhe i mori jetën një prej qytetërimeve më të çuditshme dhe më të bukura të asaj dhe të kësaj kohe.

Vizitorët

Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Për të shkuar atje duhet të gjarpërosh nëpër një rrugë të deformuar ku duken përpjekjet për ta mirëmbajtur me arna asfalti dhe çaklli. Kjo për të evituar cedimet e shumta në rrugë, pasqyra e mungesës së një investimi serioz prej vitesh në këtë aks të rëndësishëm turistik, për këtë zonë dhe për gjithë vendin.

Ajo vizitohet përditë nga turistë vendas dhe të huaj. Që nga viti 2006, vit kur është formuar Parku Kombëtar i Apolonisë dhe deri më sot, janë me miliona turistë vendas dhe të huaj që kanë marrë kujtime dhe mbresa prej kësaj miniere vlerash kulturore historike dhe arkeologjike. Drejtori i këtij parku Marin Haxhimihali thotë se numri i vizitorëve këtë gjashtëmujor ka njohur rritje. Kjo krahasuar me numrin e vizitorëve të së njëjtës periudhe të një viti më parë. “Ajo që dallohet-tha aiështë rritja e numrit të vizitorëve, edhe pse një pjesë e mirë e parkut, përfshi portikun, Manastirin, vendin e parkimit etj, janë në rikonstruksion total.

Edhe pse po kryhen punime që do të ndryshojnë pamjen por edhe ofrojnë mundësi të reja për vizitorët, në këtë qytet, që jo më kot e quajnë Pompei shqiptar, sepse vetëm 10% e tij është zbuluar, sërish numri i vizitorëve është i konsiderueshëm për këtë 6 mujor sipas statistikave dhe numrit të biletave të shitura, kanë vizituar Apoloninë 3122 turistë vendas. Vetëm në ditët festash këtë qytet e kanë vizituar 6945 shtetas të grupmoshave të ndryshme.

Ndërsa numri i vizitorëve të huaj është 1317. Gjithsej janë 11 384 vizitorë vendas dhe të huaj për këtë gjashtëmujor. Ndërsa në vitin e kaluar si gjashtë mujor këtë park e vizituan 2666 turistë vendas dhe 1815 të huaj. Ulja e numrit të të huajve për këtë 6 mujor të parë të vitit ka të bëjë me krizën globale, por mbi të gjitha me frikën nga terrorizmi ndërkombëtar-deklaroi ai. Me interes të madh për vizitorët në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë etj.

Gërmimet Për herë të parë që pas krijimit të parkut Arkeologjik Apolonia, do të kryhen gërmime arkeologjike. Leja për nisjen e gërmimeve është dhënë nga ana e Institucionit përkatës, ndërsa projekti është referuar në këshillin Kombëtar të Arkeologjisë. Gërmimet kanë si objekt dhe themel të punës, ruajtjen dhe shpëtimin e vlerave arkeologjike. Ato do të kryhen nga stafi i parkut dhe nuk kanë asnjë kosto financiare.

Dy do të jenë arkeologët që do të nisin gërmimet në ditën e sotme; janë Marin Haxhimihali dhe Arjan Dimo. Pas referimit në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë, projekti i gërmimeve do të ndiqet hap pas hapi deri në lokalizimin e varrezave antike. Mendohet që në këtë gërmim të zbulohen të tjera vlera që do të kontribuojnë në rritjen e shkallës së njohjes së Apolonisë së lashtë. “Gërmimet do të mbrojnë zonën dhe mbi të gjitha do të na japin të dhëna të reja lidhur me territorin dhe banimet. Kjo pasi parcela ku po nisim gërmimet mendohet se i përket një varreze të periudhës helenistike. Gjithçka do të bëhet e ditur pas rezultateve të para që do të kemi nga kjo ekspeditë e para e llojit të vet që pas krijimit të parkut”- tha Marin Haxhimihali, drejtori i këtij parku.

Fakte historike

Të dhënat historike të gërmimeve na tregojnë se i pari studiues që e ka vizituar Apoloninë është Pouqueville në vitin 1806. Ai ka kumtuar edhe për gërmadhat e këtij qyteti antik, ndërsa arkeologu i parë që ka shkelur në Apoloni i ngarkuar nga ana e Napoleonit të tretë ishte Leon Heuzeu. Napoleoni i ngarkoi atij detyrën që të studionte veprimet ushtarake të Cezarit në Ilirinë e lashtë. Gjatë luftës së parë botërore në Apoloni mbërriti Prashnikeri. Ai zhvilloi gërmime dhe bëri kërkime për tempullin në zonën e Temenosit, gërmoi në banesat e anës perëndimore, dhe hapi disa varre në nekropolin tumular të qytetit. Ai gjithashtu bëri edhe botimin e disa skulpturave dhe mbishkrimeve që ruheshin në manastirin e Apolonisë, ku disa prej skulpturave i dërgoi për në Vjenë.

Në vitin 1924 deri në vitin 1944 në Apoloni fillon gërmimet një ekip francez. Këtë ekip e udhëhiqte Leon Rei. Ai zhvilloi gërmime së bashku me arkeologun shqiptar Hasan Ceka.Etapa e parë e gërmimeve në Apoloni është kryer nga arkeologë të huaj Këta të fundit pjesën më të madhe të gërmimeve të gjetura e kanë marrë me vete. Viti 1948 njihet edhe si viti I organizimit të ekspeditës së parë arkeologjike në Apoloni.Gërmimet kryheshin nga arkeologë shqiptarë.

Ndërsa në vitet 1958-1960 fillon gërmimet një ekspeditë e përbashkët shqiptarosovjetike. Ekspedita udhëhiqej sipas historikut të Apolonisë nga S. Islami dhe H. Ceka nga ekipi shqiptar si dhe V. Blavatskin nga ekipi sovjetik. Gjatë viteve të fundit në Apoloni kanë gërmuar ekspedita të përbashkëta franceze shqiptare, gjermano shqiptare etj. Ndërsa është e para herë pas shumë vitesh që nisin gërmimet nga një ekspeditë shqiptare, e vetë parkut Arkeologjik Apolonia.

Komuniteti Europian merr përsipër restaurimin e Apolonisë

Pjesa në qendër të parkut Apolonia i ngjan tashmë një kantieri të madh ndërtimi. Rreth 620 mijë euro të financuara nga BE, si një fond për rehabilitimin e Trashëgimisë së Europës Juglindore duket se po japin frytet e tyre. Manastiri i Shën Mërisë është i rrethuar me skaleta hekuri dhe dërrase. Aty nuk duken të çarat e shumëvitshme të krijuara nëpër mure dhe sidomos në pjesën lindore të tij. Këto të çara janë tashmë vetëm pjesë e memories dhe apelit për rrezik që janë dhënë ndër vite nga media dhe qytetarë intelektualë fierakë dhe me gjerë. Restaurime po kryhen në portikun e statujave, në trapezari, muzeum etj. E gjithë fasada e jashtme dhe e brendshme është e mbushur me vegla pune, grumbuj llaçi dhe punëtorë që sfidojnë të nxehtin e stinës duke punuar për plotësimin e projektit që po zbatohet dhe që ka afat deri në muajin shkurt të vitit 2017.

Sipas të dhënave të marra nga specialistët që po punojnë në këtë qendër muzeale, kanë përfunduar rreth 70% e punimeve për restaurimin e portikut, të trapezarisë, etj. Ndërsa ka përfunduar restaurimi i kabinës elektrike që ndodhet në pjesë e jashtme të rrethit të monumentit të Agonetetëve. Po kështu ka përfunduar edhe depoja arkeologjike e ujit dhe po krijohet mundësia për ta bërë të vizitueshme trapezarinë arkeologjike ku janë restauruar disa nga rrënojat. Në pjesën hyrëse të parkut ka përfunduar hyrja e re që përfshin parkimin si dhe krijimin e një porte të re hyrëse për vizitorët në përputhje me infrastrukturën e re rrugore që po ndërtohet disa km larg këtij parku dhe që lidh Fierin me Vlorën nëpërmjet aksit autostradal. Specialistët kanë deklaruar se ka përfunduar ndërtimi i rrjetit hidrosanitar ku përfshihet ndërtimi edhe i një rrjeti bashkëkohor kundër zjarrit.

Punimet vijojnë me intensitet dhe parashikohet që të mbarojnë në janar të vitit 2017. Ato filluan në janar të vitit 2016. Vlera totale e punimeve kap shifrën 619.000 mijë euro. Restaurimet si projekt janë ndjekur dhe vizituar që në nisjen e punimeve nga ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin dhe ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro. Ministrja ka deklaruar se ky restaurim nuk ka të bëjë thjesht me fasadën, por edhe me detajet dhe se sipas saj restauratorët që po punojnë në Apoloninë e lashtë, janë ndër ekspertët më të mirë të fushës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme