Banorët e Lipjanit me rrethinë prej më shumë se 2 muajsh po përballen me ndërprerje të shpeshta të ujit të pijshëm që furnizohen nga KUR “Prishtina”.
Telashe të tilla më së shumti po paraqiten për banorët nëpër katet e larta banesore. Për furnizim të rregullt me ujë 24 orë në ditë, kësaj kompanie i duhen dhjetëra hektarë për të bërë hapje të reja të puseve, mirëpo mundësitë financiare ia pamundësojnë një kosto të lartë për shpronësime të pronave private, shkruan sot Koha Ditore.
Derisa banorët e Lipjanit po përballen me mungesë të ujit të pijshëm, Komuna gjatë këtij viti në bashkëpunim me organizata të ndryshme kanë bashkëpunuar për hapjen e 60 puseve nëpër lokalitete të ndryshme.
Ilmi Bublica, menaxher i KUR “Prishtina” në Lipjan, ka thënë se qytetarët duhet t’i shlyejnë obligimet milionëshe ndaj kompanisë për të planifikuar projekte të tilla madhore.